Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi ligjin që i dha fund mbylljes së pjesshme të qeverisë federale, por në daljen për mediat vëmendja u zhvendos te çështja Epstein dhe zhvillimet e fundit nga Departamenti i Drejtësisë.
Në fillim, Trump u pyet për reagimin e tij ndaj lajmit se ish-presidenti Bill Clinton dhe ish-kandidatja demokrate për presidente Hillary Clinton do të dëshmojnë para Kongresit në kuadër të hetimeve për Jeffrey Epstein. Presidenti amerikan u shpreh se situata është e rëndë për ta dhe se i vjen keq që përballen me këtë proces.
“Është për të ardhur keq dhe më vjen keq që duhet ta kalojnë këtë situatë”.
Më pas, një tjetër pyetje lidhej me hetimet në Mbretërinë e Bashkuar ndaj ish-ambasadorit britanik në SHBA, Peter Mandelson, ku Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se nuk kishte dijeni të mjaftueshme për çështjen.
“Nuk di shumë për këtë çështje”.
Presidenti amerikan reagoi ashpër ndaj një pyetjeje të gazetares së CNN, Kaitlan Collins, lidhur me lidhjet e figurave publike me Jeffrey Epstein. Trump e sulmoi gazetaren, duke e cilësuar si gazetaren më të keqe, pasi nuk e ka parë kurrë të buzëqeshë.
Reagimet e Trump vijnë në një kohë kur Departamenti amerikan i Drejtësisë ka publikuar miliona dokumente të brendshme lidhur me rrjetin e Jeffrey Epstein, duke nxjerrë në pah lidhjet e tij me figura të njohura nga politika, financa dhe biznesi, si para ashtu edhe pas dënimit të tij për krime seksuale.


