Nuk e donte këtë nisje, por janë gjëra që ndodhin.
Mari-Luizë Eta e filloi me humbje karrierën e saj pa precedent si trajnerja e parë femër në një skuadër meshkujsh.
Gruaja gjermane 34-vjeçare nuk mundi ta festonte debutimin historik, sepse skuadra e saj, Union e Berlinit, u mund në shtëpi nga Volfsburgu me shifrat 2-1.
Në një ndeshje ku kryeqytetasit bënë gjithçka dhe patën epërsi të ndjeshme, rezultati nuk iu përgjigj lojës, pasi Patrik Vimer dhe Xhenan Pejcinovic shënuan për “ujqërit”.
Kjo ishte fitorja e parë e Volfsburgut pas 12 ndeshjeve në kampionatin gjerman, në të cilat kishte pësuar 9 humbje e kishte arritur vetëm tre barazime, që nga 14 janari I këtij viti.
Gjithsesi, trajnerja gjermane mund të ndihet krenare sepse Unioni reagoi fort.
Berlinasit patën 24 gjuajtje ndaj 5 të miqve, dhe 7 në kuadrat ndaj 4 të tyre.
Gjithsesi, shënuan vetëm një gol, edhe atë në fund kur skocezi Oliver Bërk realizoi pesë minuta para fundit.
Unioni është në vendin e 11-të në Bundesligë me 32 pikë, ndërsa duhen edhe 4 javë deri në përfundim.
Besohet se trajnerja Mari Luizë Eta mund t’i udhëheqë drejt mbijetesës.


