Enver Hoxhaj: Tre rreziqet e Kosovës në dialog! Po bëhen përpjekje të hapet pakoja e Ahtisarit

schedule20:41 - 21 Tetor, 2020

schedule 20:41 - 21 Tetor, 2020

Nga Linda Karadaku

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Enver Hoxhaj ka deklaruar në një intervistë në emisionin “Ballkan” në ABC News se po bëhen përpjekje për rihapjen e pakos së Ahtisarit që ka të bëjë me kishën serbe dhe trashëgiminë kulturore serbe në Kosovë.

Hoxhaj tha se rrezik tjetër për Kosovën është fakti që procesi i dialogut nuk ka afate të qarta kohore, ndërsa u shpreh se kërkesën e BE për të drejtat e Komuniteteve e ka parë si një përpjekje të Serbisë për ta rihapur temën e Asociacionit.

Ai u pyet edhe lidhur me aludimet në media se ai dhe Vjosa Çitaku mund të jenë kandidatë për presidencën dhe postin e kreut të partisë pas përballjes së disa politikanëve me Gjykatën Speciale, duke theksuar se këtu nuk kanë qenë diskutime në parti dhe mbeten në kuadrin e një lajmi në media pa diçka konkrete.

A po negocioni me Vetëvendosjen për të rrëzuar qeverinë Hoti?

Natyrisht që ka kontakte permanente midis Partisë Demokratike të Kosovës dhe subjekteve politike të cilat janë në opozitë dhe në qeveri, por pyetja juaj e merr përgjigjen konkrete vetëm atëherë kur jemi në kuvend të Kosovës. Nuk dua që të shkoj më tutje në detaje.

E latë ta hapur mundësinë që edhe po ndodh kjo gjë?

Bashkëpunimi mes partive politike nuk do duhet të kthehej në lajm

Ka pasur kërkesa që PDK të bëhet pjesë e qeverisë?

Deri më tash nuk kemi diskutuar asnjëherë a do duhet t’i bashkohemi kësaj qeverie, a do duhet të ndryshon dhe të riformatizohet kjo qeveri, dhe nuk ka qenë asnjëherë temë në asnjë forum të Partisë Demokratike në Kosovë. Ne mbesim në opozitë dhe jemi të angazhuar të adresojmë temat e qytetarëve.

Partia juaj përballet me një situatë vështirë për shkak të Gjykatës Speciale. Është folur në Prishtinë që ju dhe zonja Çitaku mund të jeni kandidatë për presidencën ose kryesimin e partisë?

Kjo situatë nuk është diskutuar. Çfarë kemi diskutuar në Partinë Demokratike të Kosovës më 24 qershor kur u bë ajo komunikatë për shtyp nga prokurori I gjykatës speciale, ka qenë sesi duhej të kishte qenë sjellja jonë politike dhe cili do të duhej të kishte qenë qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës dhe mandej jemi marrë edhe me çështje dhe tema të tjera të cilat janë tema dhe çështje të jetës sonë politike në Kosovë, por se kush duhet të jetë president i vendit kur Kosova aktualisht e ka presidentin, mandati i të cilit përfundon tek në prill të vitit 2021, nuk ka qenë temë në Partinë Demokratike të Kosovës, dhe nuk besoj që ka qenë temë po ashtu në subjektet e tjera politike, po është legjitimeve nga ana e mediave që të jetë pjesë e lajmeve por jo e partisë. Nuk ka një formësim politik nga ana e PDK.

Një nga temat më të nxehta është asosacioni ose bashkësitë e komunave me shumicë serbe. Vazhdon PDK t’i qëndrojë faktit se nuk duhet prekur më ajo çfarë është folur?

Ajo që po ndodh është ajo që ne kemi paralajmëruar prej shumë muajsh.  Ne kemi paralajmëruar para shumë muajsh se Kosova mund t’i ketë tre rreziqe kryesore në dialog, rreziku i parë është një proces që nuk ka afate të qarta kohore, qëllime të matshme dhe për atë kemi kërkuar që dialogu duhet të afatizohet dhe kryefjala, kryetema e dialogut duhet të jetë tema e ndërsjellë; së dyti, këtë përpjekjen e re të Bashkimit Evropian që të ketë një lloj riaranzhimi për të drejtat e komuniteteve,  e kemi parë si një përpjekje të Serbisë për ta rihapur temën e Asociacionit, për ta rinegociuar temën e asociacionit, dhe rinegociimi i temës së asociacionit nënkupton më shumë kompetenca për Asociacionin dhe kjo do ta bënte Kosovën shtet jo funksional, gjë që është e papranueshme për Partinë Demokratike të Kosovës; dhe së treti, një temë e cila nuk është përmendur në media, ka po ashtu përpjekje që të rihapet ajo pjesa e pakos së Ahtisaarit, që ka të bëjë me kishën ortodokse serbe dhe trashëgiminë kulturore serbe në Kosovë.

Është diskutuar që nga viti 2018 çështja e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë për zgjidhjen e problemit.

Ajo që ka ndodhur në vitin 2018 është e vërtetë që presidenti Thaci ka pasur disa deklarata publike, para mediave, për një lloj korrigjimi të kufirit, i cili do të duhej të përfshinte edhe komuna shqiptare në territorin e Serbisë. Këtu është fjala për Luginën e Preshevës. Por dua të jem i qartë, kjo asnjëherë nuk ka qenë politikë shtetërore e Kosovës, kanë qenë disa deklarata të presidentit si mundësi sesi ai e ka parë përmbylljen e këtij procesi, por Kosova si e tillë ka pasur një platformë, dhe këtë platformë e ka edhe Partia Demokratike e Kosovës, që shtet-ndërtimi I Kosovës duhet të përmbyllet në këtë territor, dhe në këta kufij të cilët I ka aktualisht Kosova. Prandaj kjo është temë e mbyllur. Edhe për asociacionin mendojmë se është temë e mbyllur. Ajo që duhet të ndodhë është një takim për njohje të ndërsjellë ku të ulen Kosova dhe Serbia dhe partnerët e Kosovës. /mv. abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!