Enrique: Itali super, Spanja ime me ide të qarta! Nuk kërkoj hakmarrje për bërrylin

schedule12:39 - 5 Korrik, 2021

schedule 12:39 - 5 Korrik, 2021

Spanja përballet nesër me Italinë në gjysmëfinalen e parë të EURO 2020. Trajneri Luis Enrique ka dalë sot para mediave dhe vlerëson “axurrët”, por thekson se skuadra e tij do të futet në fushë për ta diktuar ajo lojën. Ai i është kthyer edhe bërrylit të marrë nga Tassoti në Botërorin 1994 në SHBA.

“Do doja të ishte më e lehtë, por është shumë e vështirë si ndeshje. Italia është një ekip që të argëton kur luan, bën futboll të bukur, ushtrojnë presing përpara, pasojnë dhe driblojnë mirë, dinë të bëjnë presing edhe pranë zonës.

Itali është një ekip i vështirë për t’u përballur dhe mendoj se do të jetë një sfidë shumë argëtuese, me shumë pasion dhe mes dy skuadrave që pëlqejnë të luajnë në të njëjtën mënyrë”, u shpreh Enrique fillimisht.

Dueli Chiellini-Morata? Mundohem të mos u jap këshilla lojtarëve kur ata i njohin shumë mirë kundërshtarët e tyre. Unë nuk jam i shqetësuar për Chiellinin, më shqetëson kërkimi i situatave të mira të lojës nga skuadra jonë”.

Gabimi për t’u shmangur? I vetmi gabim që nuk do bëjmë, është se nuk do të shkojmë në Ëembley të mos tentojmë ta bëjmë ne lojën nga minuta e parë në të fundit. Spanja ime nuk do të jetë e tillë. Ne mund të humbasim, të fitojmë, ta barazojmë, por jam i sigurt që skuadra ime do të jetë besnike e identitetit të saj”.

27 vite më parë, në Botërorin e vitit 1994, Tassoti i dha një bërryl Luis Enriques dhe e gjakosi në hundë. Teknikut spanjoll ia kujtojnë atë episod dhe e pyesin nëse ua ka treguar lojtarëve. “Jo, jo, nuk u kam thënë gjë. Madje as me shaka”, është përgjigjur Enrique.

“Ishte vetëm një moment. Kam pasur mundësinë ta takoj sërish Mauro Tassotin dhe ai është një njeri pozitiv. Nuk jam duke kërkuar ndonjë hakmarrje apo diçka të tillë. Unë dua gjithçka në lidhje me Italinë: ushqimin, njerëzit, kafen, akulloret, futbollin, Romën.

Jetova atje për një vit dhe ishte një përvojë e mrekullueshme. Më pëlqen shumë të luaj kundër Italisë dhe do ta bëjmë përsëri në nëntor në Nations League”, tha Luis Enrique në konferencën për shtyp. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!