Luis Enrique, trajneri i Spanjës, ka dalë para mediave dhe ka folur për duelin e radhës me Kosovën. Tekniku vlerëson dardanët për mënyrën e lojës dhe për guximin, ndërkohë që flet edhe për Sergio Ramos dhe vështirësinë e Spanjës për të shkuar te goli.
“Pres një rival si ata të mëparshmit, edhe pse Kosova është ekip ndryshe nga Greqia dhe Gjeorgjia. Ata bëjnë presing intensivisht, janë të rrezikshëm dhe e nisin gjithçka nga prapa. Është një përfaqësuese që më pëlqen, që rrezikon.
Kanë një sulmues që e mban mirë topin në krah dhe një qendërsulmues të mirë. Do te jetë një ndeshje e vështirë. Duhet ta mundim Kosovën dhe t’i kënaqim tifozët, të jemi ambicioze duke sulmuar që në fillim”, është shprehur fillimisht Luis Enrique.
“Sergio Ramos? Pavarësisht çfarë ndodh dhe çfarë vendosim, nuk dua të ketë spekulime. Ai është në gjendje të mirë dhe në gjendje të trajnerit. Unë ua them lojtarëve vendimin më parë dhe pastaj e bëjmë publik”.
“Mungesa e golit? Nuk shqetësohem. Jam i kënaqur me sulmuesit që kam. Detyra ime si trajner është të rris cilësitë e tyre, të përpiqem të krijoj një mënyrë loje që ata të paraqiten mirë. Jam krenar dhe i lumtur me ata lojtarë që kam”, përfundoi trajneri i Spanjës. /abcnews.al