Elhan Kastrati u transferua te Cittadella këtë sezon dhe ia ka dalë të fitojë një fanellë titullari mes shtyllave. Portieri nga Hasi po kalon një moment të mirë dhe sot ia doli të ruajë të paprekur portën në sfidën ndaj Brescias.
Cittadella fitoi 1-0, sukses që i siguroi kualifikimin në fazën gjysmëfinale të “play-off” në Serie B. Objektivi i madh është ngjitja në elitën e futbollit italian, teksa pengesa e radhës quhet Monza.
Edhe klubi i dyshes Silvio Berlusconi-Adriano Galliani synon kalimin në Serie A. Cittadella do të luajë në shtëpi takimin e parë (17 maj), ndërsa tre ditë më vonë do të luhet takimi i kthimit në Monza.
Detyra e Kastratit vështirësohet, pasi tani do të ketë përballë një emër si Mario Balotelli, i cili është i karikuar në maksimum për të ndihmuar Monzën në realizimin e objektivit madhor. /abcnews.al