Ëndrra për t’u bërë mësuese/ Fatmira Qendro tregon vështirësitë dhe sfidat e profesionit

schedule20:33 - 9 Nëntor, 2024

schedule 20:33 - 9 Nëntor, 2024

Fatmira Qendro, sot 80 vjeç është një zonjë e nderuar e qytetit të Sarandës. Ka lindur në Gjirokastrën e vogël siç njihet fshati Tatzat i Delvinës. Kur ishte 9 muajshe e çuan në shtëpinë e fëmijës pasi babai partizan humb jetën dhe pas tij edhe nëna e saj. Aty e birëson një familje sarandiote dhe Mira e kujton fëmijërinë e saj plot dashuri për ata prindër dhe plot lojëra.

Kujton me buzëqeshje sesi e vogël fare rolin e mësueses e bënte me gurët në lagjen e saj dhe mërzitej se ata nuk lëviznin dhe nuk i përgjigjeshin.

Ndoqi shkollën e lartë në Tirane dhe u kthye në Sarandë ku u emërua mësuese e ciklit të ulët. Kishte emocione përballë nxënësve, por edhe ethet e kritikes ndaj vetes kur përgatiste ditarin e donte çdo gjë të ishte perfekte.

Kujton se ka patur vështirësi sepse në rrethanat si një vajzë e rritur jetime nuk kishte përkrahje, por ajo me punë ia doli të ishte mësuese shumë e mirë dhe e dashur për nxënësit dhe e vlerësuar nga kolegët dhe drejtuesit.

Përlotet kur kujton se gati pas 50 vjetesh, dy nxënësit e saj e njohin në kafenenë e qytetit dhe e përshëndesin me përmallim.

Duke krahasuar sesi nxënësit mësonin në ato kohë dhe metodikën e mësimit sot, mësuese Mira ka rezervat e veta. Nxënësit sipas saj duhet t’i afrohen më tepër artit, sportit dhe mbi të gjitha librit.

Sa i përket jetës shoqërore mësuese Mira shprehet se duhet të ketë më tepër jetë artistike dhe sociale në vend të jetës individuale.

Pasionin për mësuesinë e vazhdoi edhe gjatë periudhës së pensionit duke iu bërë nipërve dhe mbesave të saj, edhe gjyshe edhe mësuese.

Sot me krenari tregon sesi ia ka dalë mbanë të jetë një nënë dhe bashkëshorte shembullore, një mësuese dhe zonjë e nderuar e qytetit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!