Ëndrra e thyer e Tiranës dhe e Shkupit, Franca bllokon hapjen e negociatave për anëtarësimin 

schedule14:03 - 17 Tetor, 2019

schedule 14:03 - 17 Tetor, 2019

Në një editorial të saj, Euronews, shkruan se Tirana dhe Shkupi janë përplasur me realitetin e ashpër për sa i përket hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Franca vijon të kundërshtojë.

Ëndrra e një të ardhmeje europiane për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duket se është përplasur me një realitet të hidhur. Gjatë mbledhjes së ministrave të jashtëm në Luksemburg, Franca bllokoi hapjen e negociatave për anëtarësim duke shkaktuar dhe përçarje në Bruksel.

Komisioni europian i kishte kërkuar vendeve të Bashkimit Europian që të jepnin dritën jeshile. Një mesazh I përsëritur ky dhe nga komisioneri europian Avramopulos. Ai u shpreh se duhet treguar shumë kujdes me Ballkanin dhe nuk duhet lejuar që Ballkani të lihet mënjanë ashtu si në të kaluarën.

Por Franca këmbëngul në qëndrimin e saj duke drejtuar gishtin kundër sistemit dhe duke pretenduar se është e domosdoshme një reformë për procesin e anëtarësimit. Një qëndrim që u mbështet dhe nga vendet e ulëta

Por për disa të tjerë, ky vendim rezulton të jetë i dëmshëm për marrëdhëniet mes Bashkimit Europian dhe dy vendeve, në mënyrë të veçantë për Maqedoninë e Veriut.

Eurodeputetja holandeze Kati Piri u shpreh se mesazhi që BE i dërgon dy vendeve është se nuk ka rëndësi se cfarë bëjnë, BE nuk do i mirëpresë. Ajo shtoi se ky është një mesazh katastrofik sidomos për një vend që ka ndërmarrë reforma shumë të forta.

“Jo vetëm ndryshoi emrin por ka bërë hapa para dhe për demokracinë, dhe tani e braktisim,” përfundoi ajo duke iu referuar Maqedonisë së Veriut.

Liderët europianë në samitin e radhës duhet të përqendrohen tek Brexit, por përçarjet për Ballkanin perëndimor mund të krijojnë krisje në marrëdhëniet mes Francës dhe Gjermanisë./ABC News Albania

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!