Peter Olayinka është një emër i njohur për tifozët shqiptarë. Sulmuesi nigerian zbarkoi në Ballsh në moshën 16-vjeçare dhe u aktivizua për dy sezone me ekipin e Bylisit. Më pas dy vite fantastike në Korçë me Skënderbeun, për t’u shitur te belgët e Gentit për shumën e 1.1 milionë eurove.
Nigeriani u huazua te çekët e Duklës, më pas te Zulte Waregem, ndërsa verën e kaluar Slavia Prague pagoi 3.2 milionë euro te Genti dhe siguroi shërbimet e Olayinka. Ky i fundit shkëlqeu në duelin e së martës në Champions kundër Interit në “San Siro”.
23-vjeçari shënoi golin e avantazhit në minutën e 63-të, duke i shtangur të gjithë. Zikaltrit e Contes arritën të barazonin në minutat shtesë dhe të dy ekipet morën nga një pikë. Një ndeshje shumë pozitive e sulmuesit afrikan, i cili i është vetëofruar më parë edhe kombëtares shqiptare.
Në një prononcim për kanalin zyrtar të klubit çek, Olayinka zbulon emocionet e përjetuara, frikën e anulimit të golit dhe mërzinë e përjetuar në fund nga rrjeta e Nicolo Barella.
“Ndihemi keq që nuk e fituam ndeshjen. Ishte mëkat të pësonim në minutat shtesë, por edhe pika është për t’u vlerësuar. Goli? Mendova mos isha në pozicion të parregullt dhe hodha sytë 2-3 herë drejt arbitrit anësor. Për fat gjithçka shkoi mirë dhe ndihem shumë i lumtur. Stadiumi “San Siro” ishte fantastik. Kur isha i vogël, e shihja në TV dhe ëndërroja të shënoja një ditë aty. Diçka e tillë ndodhi dhe është pothuajse e pabesueshme”, përfundon Peter Olayinka. /abcnews.al