Endri Çekiçi shënon gol

schedule14:24 - 29 Prill, 2019

schedule 14:24 - 29 Prill, 2019

Endri Çekiçi po kalon një sezon shumë të mirë në Slloveni. Futbollisti pogradecar shënoi gol dhe fitoi penallti në ndeshjen e fundit për ekipin e tij, Olimpijan.

Në moshën 22-vjeçare po e përmbush potencialin e tij. Endri Çekiçi është kthyer në lojtar-kyç për Olimpijan e Ljubljanës në Ligën e Parë të Sllovenisë, siç e tregoi edhe javën e fundit.

Lojtari i krahut shënoi gol dhe fitoi penallti në fitoren e Olimpijas 3-2 ndaj Krshkos, në ndeshjen e luajtur në Ljubljanë, në stadiumin “Stozhice”. Madje, kontributi i tij ishte i rëndësishëm sepse shërbeu për t’i dhënë epërsinë 2-0 ekipit të tij që në pjesën e parë.

Çekiçi ishte gjatë gjithë kohës aktiv dhe pjesë e manovrës sulmuese të vendasve, duke ndihmuar edhe në lojën në mbrojtje. Edhe në rastin e golit të tretë, pogradecari ishte në vendin e duhur, pavarësisht se topi nuk shkoi tek ai.

Olimpija nuk mund ta fitojë titullin, pasi ndodhet 10 pikë prapa kryesueses Maribor, por duke qenë në vendin e dytë i ka të gjitha mundësitë që të luajë në Ligën e Europës sezonin e ardhshëm.

Që kur mbërriti në skuadër në shkurt të këtij viti, 22-vjeçari është bërë pjesë e formacionit, dhe një lojtar tepër i rëndësishëm për skemat e trajnerit Safet Haxhiç. Vetë Haxhiç e vlerësoi kontributin e shqiptarit në intervistën e dhënë pas ndeshjes, ndërsa theksoi se fitorja ishte e vështirë, por plotësisht e merituar.

Çekiçi, që e ka nisur karrierën në Shqipëri, por e vazhdoi në Kroaci në moshë fare të re, shpreson të marrë një ftesë për në kombëtare nga trajneri i ri, Edoardo Reja./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!