Ende shumë mosmarrëveshje mes SHBA dhe BE për subvencionet

schedule08:22 - 7 Dhjetor, 2022

schedule 08:22 - 7 Dhjetor, 2022

Nuk ka ndonjë marrëveshje konkrete në horizont mes Brukselit dhe Uashingtonit për subvencionet amerikane ndaj prodhimeve vendore.

Takimi në SHBA nuk solli risi të mëdha.

Takimi i përfaqësuesve të lartë të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian lidhur me mosmarrëveshjen për subvencionet amerikane ndaj prodhimeve vendore ka përfunduar pa rezultate të mëdha pozitive. Pas diskutimeve të këshillit të përbashkët të tregtisë dhe teknologjisë në College Park në shtetin amerikan të Merilendit, zëvendëspresidenti i BE-së, Valdis Dombrovskis shprehu optimizëm të kujdesshëm: “Ne po e lëmë këtë takim pak më optimist sesa para takimit”. Por ka “ende shumë për të bërë,” tha Dombrovskis.

“Rezultati më i rëndësishëm është ky: Ne jemi të vendosur të ecim përpara së bashku, jo në kurriz të njëri-tjetrit, por për përfitimin e njëri-tjetrit”, tha pas takimit Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken. Ai mendon se dallimet do të tejkalohen. Një grup pune tashmë po merret me këto probleme dhe mosmarrëveshje. Shqetësimet e evropianëve merren seriozisht, tha Blinken.

Vetëm “Made in USA” me rëndësi!

Konflikti sillet rreth të ashtuquajturit Ligji për Reduktimin e Inflacionit (IRA) të presidentit amerikan Joe Biden. Ky ligj siguron 370 miliardë dollarë (rreth 357 miliardë euro) për mbrojtjen e klimës dhe sigurinë e energjisë – duke përfshirë subvencionet për makinat elektrike, bateritë dhe projektet e energjisë së rinovueshme “Made in USA”.
Subvencionet dhe kreditë tatimore janë të lidhura me kompanitë që përdorin produkte ose prodhime amerikane në Shtetet e Bashkuara. Prandaj evropianët e akuzojnë Uashingtonin për proteksionizëm. Ata kanë frikë nga disavantazhet për industritë lokale.

Franca përsëriti thirrjen e saj për subvencione të ngjashme të BE-së. Ministri francez i Ekonomisë dhe Financave, Bruno Le Maire deklaroi në Bruksel se Evropa duhet “të pajiset me të njëjtat mjete masive dhe efektive”, në mënyrë që të industrializojë përsëri kontinentin dhe ta bëjë ekonominë evropiane sa më miqësore me klimën./dw/