Ende në arrati, shtyhet sërish seanca për Agim Kajmakun, avokati kërkon përjashtimin e gjyqtares

schedule19:21 - 10 Qershor, 2020

schedule 19:21 - 10 Qershor, 2020

Shtyhet sërish seanca për ish-kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmakun.

Gjatë mbledhjes së sotme në Gjykatën Penale të Tiranës, “togat e zeza” kanë pranuar provat e dorëzuara nga Prokuroria dhe mbrojtësit e Kajmakut.

Mësohet se gjatë seancës së sotme, avokati i Agim Kajmakut, Z. Isuf Shehu depozitoi në sekretarinë e gjykatës kërkesën për përjashtimin e gjyqtares së çështjes, Znj. Shefkie Demiraj.

Në shkresë përmendet se ka indicie që Znj. Demiraj është në proces Vettingu dhe po verifikohet nga Pamela Qirko (Balluku) motra e ministres Belinda Balluku.

Sipas avokatit, ky fakt përbën një shkak të rëndësishëm anshmërie.

Seanca e radhës, do të zhvillohet në datën 18 qershor, ora 10:00, ku do të merren në pyetje dëshmitarët Gentian Picari, Laureta Omeri dhe Hekuran Brahimaj, ndërkohë që vetë Kajmaku është ende në arrati.

Akuzat e PD-së dhe hetimet për Agim Kajmakun

Fillimisht akuzat kundër Kajmakut u ngritën, pasi dyshohej se ai ka marrë vendime, pasi KQZ kishte vendosur për shkarkimin e tij nga detyra.

Pasi KQZ kishte marrë vendimin kundër tij, ai ka shkarkuar nga detyra dy nënkryetarët e Bashkisë dhe emëroi një të besuar të tij.

Më herët, ish-qytetari i parë i Vorës, ishte nën akuza publike nga Partia Demokratike se ishte arrestuar në Greqi, nën emrin Jorgo Toto, për veprën penale të falsifikimit të parave, por që nuk e kishte paraqitur në formularin e Dekriminalizimit.

Akuzat e PD u konfirmuan edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila pasi bëri verifikimin e shenjave të gishtërinjve të Kajmakut dhe shenjat e gishtërinjve të shtetasit Jorgo Toto, të arrestuar në Greqi, rezultoi se ishte i njëjti person.

Fillimisht, ai i mohoi akuzat e opozitës, duke thënë se nuk ishte arrestuar asnjëherë, por pas konfirmimit nga Prokuroria, ai publikoi vendimin e Gjykatës së Janinës, që e shpallte atë të pafajshëm, duke thënë se nuk e ka ditur për dënimin në vendin fqinj.

Ndaj Kajmakut rëndojnë akuzat e “Shpërdorim detyre”, “Falsifikimi i formularëve”, dhe “Ushtrim i funksioneve pas dhënies fund të detyrës”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!