Ky është momenti kur 20-vjeçari Edison Zeneli pasagjeri në sediljen e pasme të automjetit ku u ekzekutua biznesmeni Bledar Birçaj del nga dera e pasme mesditën e të hënës pasi dy autorët qëllojnë me automatik në drejtim të 40-vjeçarit. Mësohet se Zeneli ka lidhje farefisnore me viktimën.
Gjatë marrjes në pyetje, ai ka deklaruar se ka qenë i traumatizuar për shkak të plumbave të qitur nga armët e dy autorëve dhe nuk mbante mend thuajse asgjë nga ngjarja. Ndërsa efektivi i policisë që ndodhi në vendin e parë të pasagjerit është shprehur një ditë më parë se sulmi i ka gjetur të papërgatitur.
Deri më tani në lidhje me këtë ngjarje janë shoqëruar më shumë se 15 persona për t’u marrë në pyetje. Ndërkohë në vendin e krimit policia ka gjetur më shumë se 30 gëzhoja. Dyshimet e uniformave blu janë se makina e autorëve mund të jetë fshehur në ndonjë garazh jo shumë larg zonës ku ndodhi vrasja pasi deri më tani nuk ka asnjë gjurmë prej tyre.
Pistë kryesore e grupit të hetimit është e shkuara e viktimës në Spanjë. Ai rezulton i dyshuar si i përfshirë në një tjetër ngjarje në vitin 2011, por hetimet në lidhje me këtë çështje u pushuan për mungesë provash./mv.abcnews.al