Një 31-vjeçar nga Kamza është arrestuar me qëllim ekstradimi në Itali. Burime nga policia bëjnë të ditur se ne pranga ka rënë Erjol Ceka, 31 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali.
Ky i fundit është arrestuar për llogari të drejtësisë italie, pasi është dënuar me 13 vjet, 3 muaj e 17 ditë burgim, për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Vjedhja”, parashikuar nga Kodi Penal italian.
Njoftimi i plotë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në bashkëpunim me Sektorin për Krimet e Rënda në DVP Tiranë dhe Interpol Tirana, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative për vendndodhjen e një personi të kërkuar nga drejtësia italiane, për një sërë veprash penale, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Kamza”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi, me qëllim ekstradimi, i shtetasit Erjol Ceka, 31 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali.
Autoritetet gjyqësore në Torino, Itali, me vendimin penal Nr. 997/2019 SIEP, datë 17.02.2020, e kanë dënuar këtë shtetas me 13 vjet, 3 muaj e 17 ditë burgim, për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Vjedhja”, parashikuar nga Kodi Penal italian.
Ky shtetas dyshohet se më datë 17.01.2011, në Asti, Itali, ka tentuar që të shtypë me makinë shtetasin italian S. S., duke i shkaktuar atij plagosje dhe fraktura.
Më datë 14.12.2012, së bashku me një person tjetër, ka vjedhur para dhe sende me vlerë në një bar.
Gjithashtu, më datë 31.01.2015, në bashkëpunim me një person tjetër, ka plagosur rëndë me thikë shtetasin shqiptar A. G.
Materialet e arrestimit të përkohshëm, me qëllim ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë, i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.