EMRI/ Arrestohet autori i dyshuar i vrasjes së dyfishtë në Lezhë

schedule10:20 - 28 Prill, 2020

schedule 10:20 - 28 Prill, 2020

Policia e Lezhës ka arrestuar një person për vrasjen e dyfishtë gjatë pasdites së djeshme në Lalm të Vjetër.

Abcnews.al mëson se bëhet fjalë për 40 vjeçarin Aleksandër Përdoda, ndërsa është shpallur në kërkim vëllai i tij. Përdoda njihej në zonë si kultivues i lëndëve narkotike dhe kishte patur probleme pronësie edhe me banorë të tjerë të fshatit.

Preng Simoni dhe Kol Murrani u gjetën pajetë pranë fshati dhe policia konfirmoi se ishin vrarë me armë zjarri.

Ekzekutimi i tyre dyshohet se ka ndodhur gjatë mesditës. Dyshohet se ngjarja e rëndë ka ndodhur për shkak të konflikteve të vjetra mes palëve, ndërsa nga të dhënat e para të policisë objektivi i atentatit duket të ketë qenë Kol Murrani.

Viktimat kishin shkuar në fshat për të parë shtëpitë e vjetra me një motor. Sipas burimeve, ata janë qëlluar me breshëri automatiku dhe nga plagët e marra në disa pjesë të trupit kanë gjetur vdekjen e menjëhershme.

Njoftimi i policisë

Zbardhet ngjarja e ditës së djeshme në pyllin e fshatit Lalm Lukaj, ku u gjetën të vrarë me armë zjarri shtetasit K. M. dhe P. S.

Identifikohet dhe arrestohet autori kryesor i dyshuar i vrasjes së dyfishtë dhe shpallet në kërkim vëllai i tij, për përkrahje të autorit të krimit.

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në pyllin e fshatit Lalm Lukaj, Lezhë, ku u gjetën të vrarë me armë zjarri shtetasit K. M. dhe P. S., Policia ngriti një grup të posaçëm hetimor për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, i përbërë nga specialistët e Krimeve të Rënda në DVP Lezhë dhe specialistë nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë. Në ndihmë të Policisë vendore shkuan edhe grupe të FNSH Shkodër.

Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, u bë i mundur sigurimi i provave për autorin e dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasi A. P., 40 vjeç, banues në Lalm, Lezhë, person me precedent kriminal në fushën e krimeve ndaj personit.

Bazuar në prova të arsyeshme, Policia bëri kapjen dhe shoqërimin e shtetasit A. P. dhe në përfundim të veprimeve u bë ndalimi i këtij shtetasi, për veprën penale “Vrasja”.

Po në lidhje më këtë ngjarje është shpallur në kërkim edhe vëllai i autorit të dyshuar, shtetasi E. P., i cili dyshohet se ka ndihmuar të vëllanë për fshehjen e provave.

Nga tërësia e veprimeve dyshohet se ky shtetas i ka qëlluar me armë për arsye pronësie, pasi pretendon se pjesa ku ka ndodhur krimi është pronë e tij.

Policia e Qarkut Lezhë vijon kontrollet intensive për gjetjen dhe kapjen e shtetasit E. P., si dhe vijon kontrollin e territorit përreth për gjetjen e armës së krimit.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!