Gjykata e Tiranës ka marrë vendimin ditën e enjte për të lënë në burg dy efektivët e policisë të cilët kanë qenë në krye të detyrës mbrëmjen e 26 marsit ku mori flakë Komisariati i Kamzës dhe për pasojë humbi jetën 28-vjeçari Arben Mici, i cili ndodhej në qelitë e paraburgimit, si dhe morën plagë të rënda një tjetër i arrestuar dhe efektivi Hajredin Boja.
Në vendimin e saj Gjykata e ka konsideruar të drejtë arrestimin e dy efektivëve Hajredin Boja dhe Fatmir Isufi.
Dy efektivët akuzohen për shpërdorim detyre, pasi 28-vjeçari Mici i cili humbi jetën si pasojë e zjarrit, i është lejuar mjete ndezëse brenda qelisë.
Njoftimi i plotë:
Më datë 26.03.2022, në Komisariatin e Policisë Nr.5, Tiranë është krijuar një vatër zjarri në dhomat e sigurisë të të arrestuarve. Gjatë kësaj kohe, në dhomat e sigurisë kanë qenë të shoqëruar shtetasit me iniciale D.I dhe A.M të cilët kanë marrë dëmtime shëndetësore nga asfiksimi i tymit të krijuar. Shtetasi me iniciale A.M pas marrjes së ndihmës mjekësore si pasojë e asfiksimit ka ndërruar jetë në spital. Referuar interesimit të medias për këtë rast njoftojmë se:
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me vlerësimin e ligjshëm të “Arrestit në flagrancë” dhe caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për personat nën hetim me iniciale H.B dhe F.I, të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës”, e parashikuar nga neni 248 i K.Penal.
Me vendimin nr. 744 Akti, datë 29.03.2022 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur:
-Vlerësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë të personit nën hetim H.B.
-Caktimin si masë sigurimi personal ndaj personit nën hetim H.B, atë të “Arrestit në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.
-Vlerësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë të personit nën hetim F.I.
-Caktimin si masë sigurimi personal ndaj personit nën hetim F.I, atë të “Arrestit në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga personi nën hetim me iniciale F.I. Në vijim, Gjykata e Apelit Tiranë, e përbërë nga Gjyqtare znj. Elbana Lluri, me vendimin nr. 364, datë 21.04.2022 vendosi:
-Miratimin e vendimit nr.744 akti, datë 29.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Tiranë, 21.04.2022 Gjykata e Apelit Tiranë
/Abcnews.al/