Muhamed Sinka dhe Xhavit Llulla janë arrestuar nga policia pasi u kapën duke shpërndarë lëndë narkotike. Sipas policisë, këta dy shtetas shisnin doza kokainë në një berberhane në lagjen nr.6 në Kavajë.
“Pas një hetimi të kryer nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, në kuadër të megaoperacionit kombëtar antidrogë të koduar “Tempulli”, u kapën në flagrancë dhe u vunë në pranga dy shtetasit të dy banues në Kavajë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në subjektin (berberhane) në pronësi të shtetasit Xhavit Llulla shërbimet e Policisë gjetën një sasi kokaine, të ndarë në dhjetëra doza, me qëllim shitjen, si dhe 1 peshore elektronike që shërbente për këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
/abcnews.al/