Pas 20 vitesh emigrant në Londër të Mbretërisë së Bashkuar, Avni Hysa, prej 6 vitesh së bashku me familjen është rikthyer në vendlindjen e tij, në Guri i Bardh në Klos, për të rindërtuar jetën!
Kjo është bujtina ku 47 vjeçari vendosi të investojë kursimet e jetës dhe sakrificave në emigrancion prej dy dekadash. I pyetur se përse zgjodhi vendlindjen për të investuar ai u shpreh se fshati është i rankuar si një ndër 100 fshatrat turistik.
” Një nga arsyet është fakti që fshati është rankuar në një 100 fshatrat turistik. Turizmi i është shtuar nga ana e qeveris rëndësia. Kam jetuar jashtë dhe kam parë ça ndodh, më e rëndësishme te ne është turizmi. Shumë mirë do kisha investuar në det apo Tiranë, por, zgjodha këtë…”
Avniu na tregon me krenari se si bujtinën e tij e vizitojnë gjithjë e më shumë vizitorë të huaj, ndërsa më besnikë mbeten ato gjermanë e italianë.
“Kemi dy vite që operojm si bujtinë, viti i dytë ka qenë përtej pritshmërive të mija të biznesit. Arsyeja është se kemi shumë turistë të huaj nga Gjermania, Belgjik që vazhdojn që nga Marsi deri në Dhjetor. Vijn e vizitojn, rezervojon online dhe mbeten të mahnitur nga shumë gjëra, nga mikëpritja jonë, ushqimi që ne ofrojmë, rehatia dhe ambjenti për rreth, apo fshati që i mirëpret për të vizituar shtëpit muze apo monumentet e tjera kulturore. “
Investimin e tij ai e sheh edhe si një kthim borxhi ndaj vendlindjes së tij. Guri i Bardh, ndryshe njihet si fshati i Pjetër Budit, pasi këtu lindi edhe shkrimtari i madh i letrave Shqipe. Por për Avniun janë edhe një sërë monumentesh kulturore e historike që sjellin turistët në të gjithë zonën.
“Guri Bardh është një fshat shumë i vjetër dhe me tradita e kulturë të hershme. Fshati ku ka lindur Pjetër Budi, urat shumë të vjetëra veneciane, ura e vashës, kalaja e skënderbeut, kullat e kategoris së pare e të dytë. Urat, ujërin, pjesën e malit, ku kufizohet me Tiranën. Fati jonë që është mali i veshur. Ushqimi që është bio 100%, mikëpritja.”
47 vjeçari shpreson shumë që në të ardhmen të jenë të shumtë ata emigrantë, sidomos të rinjtë, që të kthehen në Atdhe.
“ Kush do e dëgjoj këtë histori do thonë po ti ç’deshe që jetove 20 vite në Londër, u ktheve dhe përfundove nga Tirana në Gur të Bardh. Unë do u sigjeroja shumë njerëzve, ky vend bëhet por jo vetëm. Bëhet me njerëz që vijn dhe investojn. Ky vend nuk bëhet me të huaj, por me neve këtu.” – u shpreh ai.
Vitet e fundit këto zona me bukuri përrallore natyrore kanë hasur një zhvillim të rëndësishëm turistik, ndërsa, edhe ndërtimi i Rrugës së Arbrit i ka dhënë një shtysë vendimtare. / abcnews.al