Emigrantët, “të uritur” për të votuar/ Mbi 100 mijë kërkesa, Celibashi: Përtej parashikimeve

schedule23:14 - 29 Janar, 2025

schedule 23:14 - 29 Janar, 2025

TIRANË- Mbi 100 mijë emigrantë kanë bërë kërkesë në platformën online të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 2025. Shifër kjo që sipas kryekomisionerit ishte e paparashikueshme, nga ku numri më i lartë i kërkesave vjen nga Italia dhe Greqia.

“Numri i kërkesave  në momentin që flasim 100 825 në kohë reale, janë 62 387 zgjedhës nga jashtë, të cilët janë regjistruar dhe këtë do votojnë, është e sigurt. Kam menduar se nuk do ishim në këto numra, mendoja se në totale do ishin 60 mijë në total që do kërkonin se do regjistroheshin, dhe me siguri projeksione është mbi 200 mijë. Në fundjavë ka një rritje të aplikimeve. Ka ditë që numri i aplikimeve është i lartë dhe për të njëjtin ditë të javës tjetër nuk ka të njëjtin trend. Deri më 4 mars është procesi i regjistrimit të votuesve nga jashtë.”, theksoi ai.

Në emision “Real Story”, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve zgjodhi të mos komentojë kërkesën e Partisë Demokratike që emigrantët të votojnë me dokumente të huaja por tha kjo çështje do jetë në vullnetin e partive politike.

“Unë nuk do të preferoja të komentoja në lidhje me këtë diskutim. Është çështje politike mes PD dhe PS. Nuk do të doja të jepja një opinion lidhur me këtë çështje. Nëse palët bien dakord, do ta përshtasin sistemin. Do të duhet të akomodonim çështjen e afateve.”, u shpreh Celibashi.

Sipas Celibashit, procesi i votës se diasporës bazohet në krahasimin mes pamjeve të fytyrës me dokumentin identifikues dhe të dhënave e fotografive në bazën shtetërore të të dhënave./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!