Kryeministrja Giorgia Meloni ka ftuar Presidenten e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen për të parë nga afër seriozitetin e situatës në Lampedusa, ishullin e vogël italian të mbingarkuar me emigrantë.
Kryeministrja italiane tha se shpreson që von der Leyen do të përshpejtojë vendosjen e burimeve të BE-së të premtuara në Tunizi në këmbim të bllokimit të largimeve të emigrantëve nga ai vend.
“Presidentja von der Leyen ka qenë gjithmonë shumë bashkëpunuese. Nuk dyshoj se do të jetë e tillë edhe këtë herë”, tha Meloni në një video-mesazh të shpërndarë nga zyra e saj.
Lampedusa është përballur ditët e fundit me një fluks të madh emigrantësh, duke e bërë situatën atje pothuajse të pamenaxhueshme pasi qendrat e pritjes janë mbingarkuar.
Agjencia e OKB-së për refugjatët, UNHCR, tha se situata në Lampedusa është kritike dhe këmbënguli se sigurimi i ndihmës adekuate për më të rrezikuarit duhet të jetë një prioritet.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Italisë, rreth 126,000 emigrantë arritën në Itali përmes detit në vitin 2023 që nga kjo javë, gati dyfishi i numrit nga e njëjta kohë e vitit të kaluar./abxnews.al