Emigracioni, një çështje e rëndësishme për votuesit në Arizona

schedule16:45 - 13 Tetor, 2024

schedule 16:45 - 13 Tetor, 2024

Arizona është një nga shtetet e rëndësishme të pavendosura në garën presidenciale të këtij viti në Shtetet e Bashkuara.  Nënpresidentja Kamala Harris dhe ish-presidenti Donald Trump e dinë se fitorja në shtetin jugperëndimor të Amerikës është çelësi i rrugës së tyre drejt Shtëpisë së Bardhë.

Gazetarja e Zërit të Amerikës Aline Barros bisedoi me votues të këtij shteti mbi ndikimin e çështjes së imigracionit në zgjedhjet e këtij viti. Nënpresidentja Kamala Harris bëri udhëtimin e saj të parë në kufirin SHBA-Meksikë si kandidate presidenciale demokrate në fund të muajit të kaluar.

Ajo inspektoi një segment të murit kufitar në Dagllas të Arizonës, të ndërtuar gjatë presidencës së Barack Obamës. Më vonë, në një tubim fushate në të njëjtin qytet, zonja Harris tha se kufiri i vendit duhet të kontrollohet mirë, por ajo gjithashtu bëri thirrje për një mënyrë më të mirë për të mirëpritur emigrantët e ligjshëm.

“Ne duhet të reformojmë sistemin tonë të imigracionit për t’u siguruar që ai të funksionojë në mënyrë të rregullt, të jetë njerëzor dhe ta forcojë vendin tonë”, tha ajo.

Disa banorë të Arizonës thonë se emigracioni është arsyeja kryesore pse ata do të votojnë për ish-presidentin Donald Trump, i cili ka premtuar të jetë më i ashpër ndaj imigracionit të paligjshëm.

“Nuk kam asnjë problem me imigracionin e ligjshëm.” Por, votuesja republikane Jane Degrezia thotë se ata që kalojnë ilegalisht nuk duhet të jenë në Shtetet e Bashkuara.

“Është shumë e padrejtë për vendin tonë. Është e rrezikshme.”

Nga mbi 4.1 milionë votuesë në Arizona, rreth 35% prej tyre janë të regjistruar si republikanë, ndërsa pak më shumë se 29% janë të regjistruar si demokratë. Rreth 34% e votuesve bien në kategorinë “të tjera”, që përfshin të pavarurit dhe ata që nuk janë në linjë me partitë kryesore.

“Grupi i votuesve të pavarur në Arizona vërtet po rritet.”

Mark Kimble është kryetar i Komisionit të Zgjedhjeve të Rregullta për Qytetarët në Tuson të Arizonës. Ai është regjistruar si votues i pavarur. Ai thotë se emigracioni nuk është çështje kryesore për të gjithë votuesit.

“Republikanët kanë prirje të thonë se emigracioni është çështje parësore. Demokratët kanë më shumë gjasa të thonë se çështja kryesore është aborti. Të pavarurit kanë më shumë prirje të thonë aborti, por jo shumica dërrmuese e tyre.” Arizona është i vetmi shtet i pavendosur që kufizohet me Meksikën dhe që ka pasur një numër rekord të emigrantëve në vitin 2023.

Në ditën kur zonja Harris vizitoi kufirin, zoti Trump, në një tubim elektoral në Miçigan, premtoi përsëri mbylljen e kufirit.

“Do të fillojmë operacionin më të madh të dëbimit në historinë amerikane. Nuk kemi zgjidhje tjetër”, tha ai.

Por Daniel Gutierrez, një votues i ri në Arizona, thotë se do të dëshironte të shihte një sistem imigrimi që nuk do t’i mbante familjet të ndara për kaq shumë kohë.

“Është e rëndë të shohësh familjet e ndara.”

Gutierrez thotë se babai i tij është një mbështetës i zotit Trump, ndërsa nëna e tij thotë se do të votojë për demokraten Kamala Harris. Ndërsa ai vetë thotë se do të mbështesë Partinë Demokrate.

“Kam vendosur të votoj për Partinë Demokratike.”

Ndërsa disa banorë të Arizonës e dinë se për kë do të votojnë në nëntor, të tjerët janë më të përqendruar në rritjen e pjesëmarrjes në votime. Joseph Garcia është drejtor ekzekutiv i organizatës “Sí Se Vota”.

“Ne duam që votuesit të jenë të informuar për çështjet e tyre me përparësi të madhe dhe të vendosin vetë se si do të votojnë”, thotë ai. Dhe këta votues mund të ndihmojnë në përcaktimin e fituesit të zgjedhjeve presidenciale më 5 nëntor./VOA/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!