Belgjika është pjesë e grupit E në eliminatoret e Botërorit Katar 2022, aty ku ka kundërshtarë si Çekia, Uellsi, Estonia dhe Bjellorusia. “Djajtë e Kuq” e nisin rrugëtimin për në Katar kundër Uellsit në shtëpi, sfidë që nis sonte prej orës 20:45.
Kevin De Bruyne, i cili është një nga yjet e kombëtares belge, thur elozhe për Romelu Lukakun në prononcimin për mediat. Sulmuesi po shkëlqen prej dy sezonesh me Interit, ekip të cilin po e udhëheq drejt titullit kampion me golat e tij.
“Romelu është një futbollist shumë i rëndësishëm për ne. Është gjithmonë një avantazh i madh që e kemi në skuadër. Ai na ndihmon që të jemi një kombëtare edhe më e mirë“, deklaroi fantazisti i Manchester City. /abcnews.al