Elite Youth Development Academy/ Futbollistët e vegjël: Shpresojmë që ky projekt të na bëjë ëndrrën realitet

schedule16:56 - 28 Shtator, 2024

schedule 16:56 - 28 Shtator, 2024

“Shpresojmë që projekti “Elite Youth Development Academy” të na plotësojë ëndrrën për t’u bërë futbollistë”, – në këtë mënyrë janë shprehur lojtarët e talentuar të “Elite Youth Academy” që kanë nisur një rrugëtimi të ri në jetën e tyre. Projekti më i ri i Federatës së Futbollit në bashkëpunim me UEFA-n po ecën në rrugën e duhur dhe çdo ditë nga e hëna në të enjte, talentët e përzgjedhur trajnohen nga specialistët e ekipeve Kombëtare në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.

Projekti po ecën sipas planit dhe fëmijët e përzgjedhur nga rrethet qëndrojnë dhe studiojnë në Tiranë nën kujdesin e Federatës së Futbollit. Qëllimi është edukimi dhe trajnimi i talenteve jo vetëm në kontekstin sportiv, por edhe në atë edukativ dhe personal.

Gjatë një prononcimi për fshf.org, tre nga lojtarët e “Elite Youth Development Academy” janë shprehur shumë të lumtur dhe të kënaqur me punën e bërë deri tani, duke shtuar se ky projekt do të bëjë ëndrrën e tyre realitet për t’u bërë futbollistë.

Besardo Ndoj – Jam Besardo Ndoj, portier te Vllaznia dhe jam pjesë e projektit “Elite Youth Development Academy”. Është shumë mirë dhe tani jemi mësuar. Trajnerët janë shumë të mirë dhe po kënaqemi në stërvitje. Janë shumë të sjellshëm dhe na ndihmojnë. Mua më pëlqen Etrit Berisha dhe dua të bëhem pjesë e Kombëtares. Shpresoj që ky projekt të më plotësojë ëndrrën.

Mateo Kapllani – Unë jam Mateo Kapllani dhe luaj me ekipin e AF Loris. Jam shumë i kënaqur për këtë projekt. Jemi shumë mirë dhe po kalojmë bukur. Ky projekt ka përmirësuar shumë fizikun tim. Unë dua të luaj me Bayern Munich dhe lojtari im i preferuar është Jamal Musiala. Nga Kombëtarja më pëlqen Kristjan Asllani dhe një ditë dua të luaj me Shqipërinë. Shpresoj që ky projekt të realizojë ëndrrën time që një ditë të bëhem futbollist.

Elez Elqeni – Përshëndetje unë jam Elez Elqeni. Jam lojtar i Partizanit, 13 vjeç dhe jam përzgjedhur te “Elite Youth Development Academy”. Ky projekt më pëlqen shumë, grupi është shumë i mirë, trajnerët po ashtu. Stërvitja shkon shumë mirë, kam përmirësuar teknikën dhe forcën. Besoj se për aq kohë sa është planifikuar ky program do të përmirësohemi shumë. Në të ardhmen e shikoj veten në vendin e Gjimshitit, sepse ai është lojtari im i preferuar në Kombëtare. E shoh veten pjesë të Kombëtares. /FSHF

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!