Elis Bakaj është në formë shumë të mirë këtë sezon. Futbollisti shqiptar shënoi një tjetër gol në Bjellorusi, ndërsa ekipi i tij synon kualifikimin në Ligën e Europës.
Ka gjetur padyshim suksesin dhe paqen me vetveten. Elis Bakaj, në moshën 31-vjeçare, po shkëlqen në maksimumin e tij në Premier Ligën e Bjellorusisë, duke shënuar, dhënë pasime për gol, e duke fituar. Futbollisti shqiptar realizoi në fitoren 2-1 të ekipit të tij, Shahtjor Soligorsk, ndaj Vitebskut. Shahtjori ka 54 pikë, duke qenë në vend të dytë të renditjes, madje fitorja ndaj Vitebskut ishte në një sfidë direkte për Ligën e Europës.
Më e fortë se skuadra e Bakajt është vetëm kampionia për vite me radhë, BATE e Borisovit, me 12 pikë më shumë.Me 7 gola të shënuar, ndoshta sulmuesi shqiptar mund të mos e fitojë Këpucën e Artë bjelloruse, por gjithsesi është shumë pranë më të mirëve. Jo vetëm kaq, por është më i miri shënues ndër lojtarët e huaj të kampionatit, si dhe ka dhënë 7 pasime për gol.
Bakaj ka luajtur 28 ndeshje këtë sezon, në ligë, Kupë dhe në Europë, duke shënuar gjithsej 10 rrjeta, por duke mos harruar as huqin e vjetër të protestave, prej të cilave ka marrë 10 kartonë të verdhë. Me shumë gjasë, karriera e tij do të vazhdojë me sukses edhe për disa vjet, në Bjellorusi dhe në kupat e Europës./abcnews.al