Interi zhvilloi një ndeshje shumë të mirë në sfidën e kthimit gjysmëfinale të Kupës së Italisë në fushën e Napolit, dominoi kundërshtarin, por nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1. Rezultat që kualifikon në finale skuadrën e Gattusos, që kishte fituar 0-1 në “San Siro”.
Antonio Conte vlerëson shumë paraqitjen e djemve të tij. Pengje nuk ka, thjesht keqardhje që performanca pozitive nuk u shoqërua me kualifikim. Trajneri zikaltër analizon ndeshjen për Rai Sport dhe ndihet mirë që mori përgjigjet e duhura nga Interi.
“Në dy ndeshjet që zhvilluam meritonim më tepër. Nuk kam për çfarë të qortoj skuadrën, kjo është rruga e duhur. Ishim agresivë kur nuk kishim topin dhe krijuam shumë. Duhet të ishim më cinikë përpara portës kundërshtare, por Ospina kreu disa pritje të jashtëzakonshme.
U treguam të butë te goli i pësuar, mund ta evitonim. Gjithsesi, jemi të kënaqur me çfarë prodhuam, e dominuam ndeshjen. Realizuam çfarë kishim përgatitur në stërvitje, më vjen keq për djemtë pasi e meritonin të luanin në finale.
Mos të harrojmë që Napoli zhvilloi një ndeshje mbrojtëse, u mbyll pas dhe priste të nisej me kundërsulme. Jam i kënaqur që krijuam shumë, jam i kënaqur edhe me Eriksen. Po integrohet me stilin tonë, diçka e tillë po dallohet“, deklaron Conte. /abcnews.al