Analisti Ergys Mërtiri thotë se elektorati gri nuk shkon te Foltorja e Sali Berishës, pasi sipas tij, kjo lëvizje është radikale dhe në të bëjnë pjesë ka politikanë që janë konsumuar.
Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Mërtiri u shpreh se bashkimi i Bardhit me Berishën, nuk ka qëllim rrëzimin e kryeministrit Edi Rama, por që të jenë kundër Lulzim Bashës.
“Nuk mundet Rama me bashkime artificiale. Këto bashkime janë bashkime kundër palës tjetër. Kjo është loja e brendshme për të marrë opozitën përfaqësuese. Ai nuk shkon dot te zoti Basha, është ndarë në mënyrë të shëmtuar nga Basha. Mendoj që ky është halli i atyre, ky hall e mban peng opozitën, të gjithë po luftojnë për hall personal, për të pasur një mandat në zgjedhjet e ardhshme. Kjo luftë është e destinuar të vazhdojë, është kthyer në luftë e të gjithëve kundër të gjithëve. Kjo e mban opozitën në gjendje të mjerueshme. E bën të pamundur rrëzimin e kësaj qeverie.
Elektorati gri nuk shkon te Foltorja, duke qenë 33 vite e konsumuar, por mbi të gjitha, duke qenë lëvizje radikale, fondamentaliste, nuk bën dot mazhorancë.”, theksoi ai./abcnews.al