El Salvador, “Kryeqyteti i vrasjeve” shpëton nga bandat, por me një çmim të lartë

schedule16:09 - 10 Prill, 2023

schedule 16:09 - 10 Prill, 2023

Kur banda MS-13 sundonte lagjen Las Margaritas, një nga bastionet e saj në El Salvador, kishte rregulla që duhej të ndiqnit për të qëndruar gjallë.

Nuk mund të vishje numrin tetë sepse lidhej me bandën rivale. Nuk mund të vishje atlete të markës që mbanin gangsterët. Dhe në asnjë rrethanë nuk mund të telefononit policinë.

“Njerëzit nuk mund të ankoheshin në polici për shkak të bandës. Ata ishin tani në pushtet”, tha ish-banorja e zonës Sandra Elizabeth Ingles.

El Salvadori, vendi më i vogël në Amerikën Qendrore, dikur njihej si “kryeqyteti i vrasjeve”, duke pasur një nga normat më të larta të vrasjeve në botë jashtë një zone lufte.

Por në vitin që kur qeveria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për të shuar dhunën e bandave, duke vendosur ushtrinë në rrugë, vendi ka ndryshuar në mënyrë dramatike.

Tani fëmijët luajnë futboll deri në orët e vona të natës në fusha të mbyllura më parë. Ata ende mund të luajnë në ndërtesa të braktisura ku dikur kryheshin vrasje në grup.

Vrasjet ranë, ndërsa anëtarët e bandës ndaluan së zhvaturi banorët e pafajshëm. “Tani mund të ecësh lirshëm”, tha Ingles, duke vënë në dukje se “kaq shumë ka ndryshuar”.

El Faro, agjencia kryesore e lajmeve në El Salvador, vrojtoi vendin dhe bëri një vlerësim befasues: bandat janë zhdukur kryesisht.

Por banorët thonë se kjo arritje ka pasur një çmim: arrestime masive edhe të njerëzve të pafajshëm, mohim i lirisë civile dhe ngritje të një force policie autoritare.

Por duket se shumica e banorëve janë të gatshëm të tolerojnë kushtet e reja për sa kohë nuk rishfaqen bandat në zonën e tyre.

Këtë e dëshmojnë edhe sondazhet, pasi me një vlerësim prej rreth 90%, presidenti i El Salvadorit, 41-vjeçari Naguib Bukele, është kthyer në një nga liderët më të njohur në botë, duke fituar gjithnjë e më shumë ndjekës.

Megjithë popullaritetin e tij, megjithatë, disa banorë dhe aktivistë këmbëngulin se atyre u është hequr liria nën regjimin e ri, sipas tyre, autoritar.

Grupet e të drejtave të njeriut në veçanti kanë dokumentuar arrestime masive arbitrare, si dhe mbipopullim ekstrem të burgjeve dhe raportime për tortura nga rojet e burgut.

Nga ana e saj, qeveria Salvadorane ka arrestuar më shumë se 65,000 njerëz vitin e fundit, duke përfshirë fëmijë deri në 12 vjeç, duke e dyfishuar numrin total të të burgosurve. Sipas llogaritjes së vetë qeverisë, më shumë se 5,000 njerëz pa lidhje me bandat shkuan pas hekurave dhe përfundimisht u liruan, ndërsa të paktën 90 njerëz vdiqën në paraburgim. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!