Ekzekutimi i taksistit, arrestohen dy vëllezër! Sekuestrohet automjeti që përdorën për krimin

schedule08:47 - 6 Gusht, 2020

schedule 08:47 - 6 Gusht, 2020

Arrestohen dy autorët e dyshuar të vrasjes së Abdulla Budllës në Fushë-Prezë, ngjarje e ndodhur tre ditë më parë. Gazetarja Xhensila Kodra mëson se dy të arrestuarit janë vëllezër me njëri-tjetrin të identifikuar si Sajmir dhe Arsil Shera.

Gjatë operacionit, Policia gjeti dhe sekuestroi edhe mjetin që kanë përdorur dy vëllezërit për të kryer krimin.

“Operacioni nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë.

Zbardhet ngjarja e ndodhur më datë 03.08.2020, në rrugën nacionale Fushë Krujë – Vorë, në kryqëzimin e rrugës së Rinasit, ku u vra me armë zjarri 71-vjeçari A. B.

Identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 vëllezër, të dyshuar si autorë të vrasjes.

Gjatë operacionit u vu në pranga edhe një 29-vjeçar, pasi gjatë kontrollit iu gjetën armë dhe drogë.

Si rezultat i një punë të mirorganizuar dhe të pandërprerë për zbulimin, dokumentimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje, nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës, nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, falë provave të siguruara, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë, u zhvillua operacioni Policor “Brothers”, në kuadër të të cilit u bë i mundur, identifikimi, lokalizimi, kapja dhe ndalimi i autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje, konkretisht i dy vëllezërve:

S. Sh., 32 vjeç, i dënuar më parë dhe A. Sh., 20 vjeç, banues në Rinas, Krujë, për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Gjatë operacionit, Policia gjeti dhe sekuestroi edhe mjetin që kanë përdorur dy vëllezërit për të kryer krimin.

Gjithashtu , po gjatë zhvillimit të këtij operacioni dhe kontrolleve të befasishme të kryera në disa banesa të dyshuara, Policia arrestoi në flagrancë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Armëmbajtja pa leje”, shtetasin G. Ç., 29 vjeç, lindur në Fushë Krujë

Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e biznesit të 29-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: një armë zjarri pistoletë, një shotgun, 60 gr. lëndë e dyshuar narkotike kokainë, një sasi të konsiderueshme në lekë, euro, paund, dollarë e franga zvicerane, një aparat celular dhe një automjet tip “Mercedes Benz”.

Nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes”, njofton policia.

Budlla u ekzekutua me 7 plumba dhe u hodh nga autorët mbi një fuçi në anë të rrugës pranë taksisë së tij. Ai punonte në të zezë, ndërsa njihej nga banorët e zonës si njeri pa probleme.

Familjarët  e viktimës gjate marrjes ne pyetje u kanë thënë hetuesve se nuk kanë pasur asnjë shqetësim nga ndonjë person.

Në vendngjarje policia nuk gjeti asnjë gëzhojë, pasi dyshohet se makina atentatorëve ishte në ecje duke bërë që ato të binin brenda në automjet./abcnews.al