Vrasja e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, gazetarja: Klement Xhaferri i frikshëm, kush qëlloi i pari?

schedule20:58 - 18 Maj, 2021

schedule 20:58 - 18 Maj, 2021

Emisioni VETTING

Ekzekutimet mafioze prej 20 marsit kanë përfshirë disa qytete të vendit. Bandat kriminale duket se janë në “fushatë’ dhe po ngutën që të lajnë hesapet mes tyre.

Krimet e ndodhura gjatë këtyre 25 ditëve në Durrës, Elbasan, Vlorë dhe Shkodër përveçse  prishjes së pazareve të drogës dhe hakmarrjes kanë edhe si motiv politikë, duke qenë se vendi ishte në fushatë zgjedhore.

Por mbarimi i saj nuk e ka zbehur aspak egërsinë e krimit i cili ka marrë revansh, ndërsa agjencitë e sigurisë në shumicën e ngjarjeve nuk kanë mundur të identifikojnë autorët edhe pse pistat janë të njohura dhe bëhen publike brenda disa orëve.

Pak ditë përpara zgjedhjeve në Elbasan u ekzekutua Pjerin Xhuvani, ndërsa pas hekurave u dërgua Arbër Paplekaj, pjesë e strukturës së mbrojtjes së votës së PD-së. Gazetarja Klodiana Lala u shpreh sonte në emisionin VETTING në ABC se policia fshehu disa elementë të ngjarjes.

Policia nuk ka bërë të ditura shumë detaje dhe mendoj se kjo është e qëllimtë duke pasur parasysh faktin që në atë ngjarje është i përfshirë Klement Xhaferri, një personazh me shumë dritë hije në Elbasan, i përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale. Një personazh i frikshëm në botën e krimit’ tha Klodiana Lala.

Ndryshe nga sa u deklarua në fillim, në referimin e bërë nga policia e Elbasanit në prokurori konfirmohet se në makinën e Mhemet Grecës janë gjetur kopje të kartave apo pasaportave të qytetarëve të ndryshëm.

Policia e shtetit është e detyruar ligjërisht dhe moralisht të kërkojë falje për atë deklaratë, sepse zoti Veliu me zë dhe figurë bashkë me zv/ prokurorin e rrethit deklaruan se në dy automjetet në vendin e ngjarjes, njëri drejtohej nga Memet Greca dhe tjetri mendohej nga Klement Xhaferri, por dokumentet zyrtare provuan të kundërtën. Më së paku i detyrohen qytetarëve të kërkojnë falje dhe duhet hetuar, përse nuk treguan të vërtetën, kë favorizuan?” tha Lala.

Kur kanë kaluar gati dy muaj nga ngjarja është ende e paqartë se cila ka qenë dinamika e saj dhe se kush ka qëlluar i pari. “Përsa kohë që ne nuk kemi të qartë faktin se kush qëlloi i pari nuk mund të vijojmë dot më tej. Ne nuk dimë të themi nëse Arbër Papleka duhet të rrijë në burg për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese, apo për shkak të vetëmbrojtjes” tha Lala./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!