Ekzekutimi i Çollakut dhe Bitrit, makina e autorëve pa numër shasie, targat u vodhën në Elbasan

schedule16:35 - 8 Tetor, 2021

schedule 16:35 - 8 Tetor, 2021

Nga Xhensila Kodra

Mjeti tip “Volvo”, i dyshuar i përdorur nga autorët në vrasjen e Lulzim Bitrit dhe Ardjan Çollakut në Elbasan, nuk dihet nëse është e vjedhur apo e trafikuar. Kjo për shkak se kjo makinë, e gjetur e djegur në fshatin Balldren, 15 minuta pas ngjarjes, nuk kishte numër shasie.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se targat e mbivendosura në të janë vjedhur disa muaj më parë po në qarkun e Elbasanit. Burime zyrtare konfirmojnë se kjo targë është denoncuar si e vjedhur nga vetë pronari.

Ditën e ngjarjes, brenda mjetit u gjetën edhe armët e përdorura nga atentatorët. Numrat serial të tyre ishin fshirë. Për të zbuluar nëse në to ka pasur prova që mund të çojnë në identifikimin e autorëve, është kërkuar ndihma e një grupi të posaçëm e të specializuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Dyshohet se shkak i ngjarjes janë konfliktet e vjetra të dy viktimave. Nga hetimet e kryera nga Policia e Elbasanit dyshohet se shënjestër e atentatit ka qenë Lulzim Bitri. Kjo për shkak se kamerat e sigurisë pranë vendit ku ndodhi ngjarja kanë fiksuar të plotë edhe dinamikën e saj.

Lulzim Bitri njihet si miku i Talo Çelës. Dyshohet se ka qenë i përfshirë në disa ngjarje të rëndë kriminale në Elbasan. Ai u akuzua për një vrasje të ndodhur 3 vjet më parë në Tetovë, por për mungesë provash u la i lirua. Me precedentë është edhe Ardjan Çollaku, i dënuar në Itali për trafik droge e prostitucion. Por nuk u ekstradua me vendim gjykate. /Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!