Ekzekutimi i biznesmenit në Laç, arrestohen babë e bir, djali dyshohet se ishte fshehur te halla

schedule17:08 - 11 Dhjetor, 2021

schedule 17:08 - 11 Dhjetor, 2021

Skënder Lika bashkë me djalin e tij Llej Lika janë arrestuar nga policia në lidhje me ekzekutimin e biznesmenit Rakip Roli mëngjesin e djeshëm në Sanxhak të Laçit. Dyshohet se i riu ishte fshehur te halla e tij në Fushë Miliot. Bashkë me ta është shoqëruar edhe një person i tretë që dyshohet se i ka ndihmuar për t’u arratisur me makinë nga vendi i ngjarjes.

Lika dhe djali i tij do të pyeten nga blutë se ku kanë qenë në momentin kur ka ndodhur vrasja, për të mësuar nëse kemi të bëjmë me një ekzekutim për hakmarrje. Kjo për shkak se njëri prej tyre disa kohë më parë janë rrahur brutalisht nga tre djemtë e viktimës. Në zonën ku ka ndodhur vrasja nuk ka kamera sigurie gjë që e vështirëson akoma më shumë zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Ngjarja ka ndodhur në dalje të Sanxhakut ku viktima po lëvizte në drejtim të Mamurrasit. Mësohet se kjo ishte një rrugë që ai e përshkonte çdo ditë. Kjo do të thotë se ai ishte vëzhguar nga autorët të cilët i kanë zënë pritë në këmbë duke zbrazur kallashnikovin. Fillimisht Roli ka tentuar të largohet, por autorët kanë qëlluar edhe në pjesën anësore të automjetit derisa ai ka humbur kontrollin.

Pasi ka ecur për disa metra ai është përplasur me një automjet fillimisht, dhe më pas ka dalë nga rruga duke përfunduar në një kanal në anë të rrugës.  Në momentin e të shtënave në vendin ku ka ndodhur atentati ka humbur kontrollin edhe një automjet i tretë që ka qenë rastësisht në vendin e ngjarjes. m.v/Abcnews.al