Dimri është periudha kur ftohja dhe gripi “sundojnë” më së shumti. Për të lehtësuar simptomat shpesh shkojmë menjëherë në farmaci për të marrë një ilaç që mund të na ndihmojë. Por a e dini se ky është një ndër gabimet më të mëdha që mund të bëni kur sëmureni?
Në shumicën e rasteve ka më shumë dëm sesa dobi, thotë farmacisti Abbas Kanani. “Ky është një gabim i madh, sepse nuk ka të bëjë me atë nëse e filloni trajtimin menjëherë ose vetëm kur simptomat bëhen më të rënda. Rezultatet janë të njëjta, thjesht i ftohti duhet të kalojë vetvetiu”, shpjegoi farmacisti.
Në fakt, përfundimi është se ilaçet nuk e kurojnë ftohjen e zakonshme. Ato lehtësojnë vetëm simptomat që keni. Një tjetër nga gabimet më të shpeshta është përdorimi i antibiotikëve të vjetër. Ata gjithashtu nuk mund të ndihmojnë në trajtimin e një ftohjeje, dhe përveç kësaj, konsumimi i antibiotikëve që keni përdorur për trajtimet e mëparshme mund të jetë i rrezikshëm.
“Shumica e ftohjeve shkaktohen nga viruset, jo nga bakteret, ndaj nuk ka absolutisht nevojë për të marrë antibiotikë, por disa njerëz marrin antibiotikë që u kanë mbetur nga më parë. Mos e bëni këtë. Është vetëm një ftohje, thjesht një infeksion viral, do të kalojë“, thotë farmacisti.
“Hidratimi dhe ushqyerja e duhur janë jashtëzakonisht të rëndësishme për shëndetin tuaj, dhe janë veçanërisht të rëndësishme kur jeni të ftohur. Domethënë, dehidrimi do t’ju rëndojë edhe më shumë, sepse trupi juaj duhet të punojë shumë më shumë kur nuk është i hidratuar.
Prandaj sigurohuni që të pini mjaftueshëm lëngje. Po kështu, kini kujdes ushqimin tuaj, sepse edhe pse mund të keni një oreks më të dobët kur jeni të sëmurë, mos i anashkaloni rastësisht vaktet sepse kjo vetëm do t’ju bëjë të ndiheni më keq”, përfundoi Kanani. /abcnews.al