Eksperti Selami Xhepa: Të llogaritet risku për kompanitë që ndikojnë ekonominë

schedule22:56 - 17 Nëntor, 2021

schedule 22:56 - 17 Nëntor, 2021

Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, preku gjatë emisionit “Refleksione” në ABC edhe faktin se, shkenca e ekonomisë, që nga fillimi i shekullit XX, ka qenë një shkencë normative, një shkencë morali, dhe jo një shkencë që edukonte sjelljen e individëve. Sipas Xhepës, Adam Smith, që krijoi shkencën ekonomike, ishte një filozof i shkencave morale.

Por, doktrina ekonomike, duke nisur që nga vepra e Kejnsit, ka filluar të bëhet më shumë matematikë, ekonometrike, se sa qasje normative e sjelljes njerëzore. Shkollat aktuale të mendimit kanë krijuar një shkëputje nga realiteti“, tha Xhepa, duke kujtuar se, krijuesi i shkollës së riskut në SHBA, Nasim Taleb, thotë se në Akademi nuk ka diferencë mes botës reale dhe botës akademike, por në jetën reale ka.

Fatkeqësisht, teoritë ekonomike, me teknikat rigoroze të planifikimit, kanë krijuar një shkëputje të realitetit. Modelimi i të ardhmes u jep siguri qytetarëve dhe investitorëve, por në këto teori nuk jepen edhe shkallët e rrezikut që përmbajnë këto. Taleb, në librin e tij ‘Të marrosur pas rastësisë’, flet për nevojën e parashikimit të riskut që të krijohet një portofol investimi për këtë gjendje të pasigurisë.

Në fakt, ajo që ndodh sot në tregjet financiare vendos për atë që ndodh në botën ekonomike. Problemi është se, duke përdorur këtë lloj modeli, me shpërndarje probalitare, duke shmangur peshën e ngjarjeve të rralla, por me shumë ndikim në ekonomi, ne kemi lënë zbuluar një pjesë të ekonomisë dhe jetës sonë“, tha Xhepa, duke kujtuar këtu edhe pasojat e krizës së vitit 2007-2008, si dhe situatën aktuale të pandemisë.

Shkenca ekonomike duhet të shikojë në mënyrë më kritike vetveten, që të mos lejojmë investitorët që të shkojnë drejt investimeve edhe më të mëdha pa llogaritur rreziqet, që shkaktojnë pasoja në shoqëri“, tha Xhepa.

Profesori bën apel që investitorëve, sidomos atyre strategjikë, duhet t’u kërkojmë që të marrin parasysh rreziqet.

Në planin moral dhe psikologjik, ne kemi krijuar një projekt ekonomik që ka sjellë deformime, pasi shumica e vendimeve që shkaktojnë pasoja, merren nga ata që nuk kanë vendosur fatin e tyre, apo “lëkurën” e tyre, në lojë. Talebi thekson, se nëse vendimet për ekonominë merren vetëm nga ata që nuk kanë se çfarë të humbasin, atëherë ne kemi vënë ekonominë në rrezik.

Ndaj unë besoj se teoria ekonomike duhet të shohë vetveten me kritikë por edhe të reformojë komunikimin, funksionimin, që të ketë në fokus pjesën më të madhe të shoqërisë. Nga kjo pikëpamje, si doktrina ashtu edhe mënyra se si është organizuar sistemi ynë ekonomik, kanë nevojë për një rishikim të të gjithë ligjësive, sidomos të atyre ligjësive mbi të cilët ne kemi organizuar jetën tonë“, u shpreh Xhepa në emisionin “Refleksione” në ABC./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!