Nga Xhensila Kodra
Disa nga rrugët kryesore të kryeqytetit janë kthyer në një kërcënim serioz për jetën e qytetarëve. Kjo për shkak edhe të drejtuesve të mjeteve që lëvizin me shpejtësi tej normave të lejuara. E tillë është edhe rruga “Xhanfize Keko”. Vetëm në këtë aks numërohet dhjetëra aksidente me pasoja të rënda.
Për ekspertin e Sigurisë Rrugore, Artur Sulçe, kjo rrugë duhet të monitorohet me kamera dixhitale.
“Nëse do shikoni nga Rruga Bardhyl e deri lart në Linzë, ka një mangësi totale në sinjlistikën e ndritshme. Shpejtësia maksimale 40 km në orë. Shoferët në përgjithësi lëvizin me shpejtësi më të mëdha. Nëse ne do shohim me kujdes këtë segment rrugor, konstatojmë që në zbritje janë dy korsi dhe në ngjitje një. Kjo rrugë duhet të jetë fleksible. Duhet vendosur kamera dixhitale dhe në korsinë e autobusëve pas orës 7 të mos qëndrojë asnjë automjet atje,” shprehet ai.
Edhe një vit më parë, në 2 janar të 2020-ës, po në rrugën “Xhanfize Keko”, një tjetër aksident i rëndë për shkak të shpejtësisë së drejtuesve të mjeteve, i mori jetën dy këmbësorëve në trotuar. Sulçe thotë se Policia Rrugore nuk merret me parandalimin e këtyre aksidenteve, por vetëm me trajtimin e tyre pasi ndodh.
“Policia Rrugore ka detyrimin, dhe në ligj është shkruar që duhet të parandalojë aksidentet. Duhet të këshillojë, duhet të menaxhojë, duhet të ndërhyjë kur ndodh një aksident e të gjitha me radhë. Por, Policia Rrugore në shtetin shqiptar, merret me trajtimin e aksidenteve rrugore,” shprehet eksperti.
Të enjten, një tjetër aksident i rëndë ndodhi në Kashar, një 23 vjeçar përplasi në gjendje të rëndë një fëmijë 9 vjeç që lëvizte me biçikletë. Edhe në këtë rast, për policinë shkak ishte shpejtësia tej normave të lejuara. /abcnews.al