Ekspertët e Vjenës: “Nisma e Berlinit” ka dështuar, katër propozimet e reja për Ballkanin

schedule07:20 - 20 Janar, 2023

schedule 07:20 - 20 Janar, 2023

Procesi i Berlinit duhet të ofrojë mbështetje më të madhe financiare për Rajonin e Ballkanit në mënyrë që të rrisë zhvillimin ekonomik dhe të ulë pabarazitë sociale.

Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare publikoi së fundmi një analizë ku e konsideroi “Nismën e Berlinit” relativisht të dështuar. Studimi analizoi faktorët se pse Nisma e Berlinit nuk përmbushi misionin e saj dhe gjithashtu dha katër rekomandime të reja që kjo nismë të bëhet efektive.

Procesi i Berlinit u iniciua nga Gjermania në vitin 2014 si një platformë për bashkëpunim të nivelit të lartë midis Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë si dhe disa vendeve anëtare të BE-së.

Samiti i parë u zhvillua në Berlin në gusht 2014. Edhe pse nuk është deklaruar kurrë zyrtarisht, samiti lidhej qartë me pezullimin pesë-vjeçar të zgjerimit të BE-së i shpallur nga Jean-Claude Juncker, Presidenti i Komisionit Europiant. Në një farë mënyre, Procesi i Berlinit lindi si një gjest për vendet e Ballkanit Perëndimor që ato nuk ishin harruar nga BE-ja dhe gjithashtu një përpjekje për të ruajtur procesin e tyre të integrimit.

Procesi fillimisht ishte parashikuar të zgjaste katër vjet, por vazhdoi edhe më tej. Çdo vit organizohen samite nga vende të ndryshme të BE-së. Deri më tani, ka pasur samite në Berlin (2014), Vjenë (2015), Paris (2016), Trieste (2017), Londër (2018), Poznań (2019) dhe samite virtuale të organizuara nga Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut në 2020 dhe nga Gjermania në 2021. Samiti i vitit 2022 u mbajt sërish në Berlin.

Procesi i Berlinit ka katër objektiva të deklaruara: zgjidhjen e problemeve të hapura dypalëshe dhe të brendshme të shteteve të Ballkanit Perëndimor, krijimin e një klime të qetë ndërmjet etnive në rajon, përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe krijimin e një baze për rritje të qëndrueshme. Anëtarësimi në BE nuk është objektivi i qartë i procesit.

Procesi i Berlinit, ka pasur rezultate në katër fusha: bashkëpunimi ekonomik, bashkëpunimi politik dhe i sigurisë, bashkëpunimi social dhe bashkëpunimi në fushën e ndryshimeve ekologjike.

Në fushën e bashkëpunimit ekonomik vërehet një numër i madh projektesh transporti si dhe projekte të ndryshme energjetike dhe programe të qëndrueshmërisë. Arritjet e tjera përfshijnë krijimin e një zone ekonomike rajonale, forumin e investimeve të dhomave të industrisë dhe tregtisë, si dhe përfshirjen në Komunitetit të Transportit, një organizatë ndërkombëtare që përfshin 27 shtetet e BE-së dhe gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, e cila do të promovojë integrimin në tregun e transportit të BE-së.

Krijimi i Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor është një shembull i shquar në fushën e bashkëpunimit social.

Pavarësisht këtyre arritjeve, vetëm pak progres është bërë në lidhje me katër objektivat fillestare të Procesit të Berlinit. Nuk është bërë ndonjë përparim i dukshëm në zgjidhjen e çështjeve të hapura dypalëshe dhe të brendshme, gjë që është më e dukshme në marrëdhëniet e tensionuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Edhe pajtimet ndërmjet etnive nuk kanë bërë progres . Shumë ekspertë konsiderojnë se shoqëritë e Ballkanit Perëndimor janë më të polarizuara se kurrë.

Bashkëpunimi ekonomik rajonal është ende i kufizuar. Baza për rritje të qëndrueshme pothuajse nuk është krijuar, pasi pabarazitë sociale në Ballkanin Perëndimor janë ende të mëdha dhe emigracioni shpesh konsiderohet si mënyra e vetme për të rinjtë për të bërë një jetë dinjitoze.

Pothuajse asnjë përparim nuk është bërë as në dekarbonizimin; situata në këtë zonë pritet të përkeqësohet edhe më shumë në të ardhmen e afërt për shkak të rritjes së kostos së jetesës dhe krizës energjetike.

Pse Procesi i Berlinit nuk bëri progres

Ka katër arsye të dukshme pse Procesi i Berlinit nuk ka bërë progres. Së pari, shtetet e Ballkanit Perëndimor e kanë konsideruar gjithmonë procesin si një zëvendësues të keq për zgjerimin e BE-së. Ndërsa shtetet anëtare të BE-së nuk kanë shpallur kurrë një prioritet të tillë dytësor, asnjëherë nuk është deklaruar me besueshmëri se Procesi i Berlinit synon të promovojë shtetet me synimin për anëtarësim të mundshëm në BE.

Së dyti, shtetet e Ballkanit Perëndimor e kanë perceptuar gjithmonë Procesin e Berlinit si diçka që iu imponua Rajonit nga jashtë. Ideja nuk ka qenë kurrë e përhapur në popullatat e vendeve dhe politikanët në rajon kurrë nuk e kanë çuar përpara procesin.

“Procesi i Berlinit” gjithashtu simbolikisht tregon se procesi ka më shumë lidhje me Berlinin se me Ballkanin. Në mënyrë të ngjashme, samitet mbaheshin pothuajse gjithmonë në një shtet të BE-së, gjë që çoi në imazhe të bukura që, megjithatë, nuk pasqyrojnë realitetet e vendeve të varfra të Ballkanit Perëndimor.

Së treti, Procesi i Berlinit ka injoruar disa nga problemet më të rëndësishme ekonomike dhe sociale në rajon. Një pjesë e madhe e mjerimit ekonomik është për shkak të infrastrukturës së dobët dhe mungesës së investimeve publike, qofshin ato në rrugë, hekurudha, sistemet e ujërave të zeza, depozitimi i mbetjeve apo prodhimi i energjisë. Mënyra e vetme për të zgjidhur këto probleme është rritja e investimeve publike, por Procesi i Berlinit nuk po bën mjaftueshëm për të mobilizuar më shumë fonde për infrastrukturën, analizojnë ekspertët e Vjenës. Varfëria e lartë dhe pabarazia sociale në Rajon janë gjithashtu për shkak të shpenzimeve të pamjaftueshme publike për mbrojtjen sociale, arsimin dhe kujdesin shëndetësor. Procesi i Berlinit nuk i trajton as këto probleme dhe nuk i ofron popullatës së re një perspektivë afatgjatë për një jetë të denjë në shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Së katërti, politikanët vendas kishin vetëm pak stimuj politikë për të çuar përpara projektin. Procesi i Berlinit si një projekt që fokusohet kryesisht në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal po neglizhon ekonominë e vendeve të vogla, të varfra dhe me kapacitete të kufizuara shtetërore.

PBB e gjithë Rajonit së bashku nuk është as sa 50% e PBB-së se Çekisë, e cila është rreth 3 për qind e PBB-së gjermane.

Katër rekomandime për të përmirësuar procesin

Megjithëkëtë ecuri të dobët nuk do të thotë se Procesi i Berlinit është i padobishëm dhe duhet refuzuar. Janë bërë shumë përpjekje dhe procesi me të vërtetë ka arritur disa rezultate. Për të ecur përpara në të ardhmen, dobësitë e sipërpërmendura të projektit të përgjithshëm duhet të eliminohen dhe duhet të zhvillohet një version i rishikuar i projektit, rekomandojnë ekspertët.

1-Antarësimi në BE të jetë synimi kryesor

Rekomandimi i parë i parë i rëndësishëm duhet të jetë përcaktimi zyrtar i përshpejtimit të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE si objektivi i parë dhe më i rëndësishëm i Procesit të Berlinit. Përndryshe, procesi do të vazhdojë të perceptohet si një zëvendësues i nismës së anëtarësimit në BE, i cili gjithashtu do të minojë atraktivitetin e tij për politikanët vendas, vendimmarrësit dhe grupet e interesit si dhe publikun e gjerë.

2- Të përfshihen anëtaret e tjerë të BE-së

Rekomandimi i dytë lidhet me fokusin jo vetëm tek aktorët nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, por edhe tek BE-ja. Në një kuptim simbolik, është “Berlini” ai që duhet të bëjë më shumë në këtë proces. Arsyet për përparimin e ngadaltë dhe të pakënaqshëm të bërë nga shtetet e Ballkanit Perëndimor në lidhje me anëtarësimin në BE nuk qëndrojnë vetëm në Ballkan. Lodhja qytetareve në BE nga zgjerimi dhe nga problemet e brendshme të BE shpesh nuk kanë të bëjnë me shtetet e Ballkanit Perëndimor. Në këtë rast, vendet e Ballkanit Perëndimor pësojnë dëme kolaterale dhe paguajnë çmimin edhe për gabimet e të tjerëve. Prandaj, Procesi i Berlinit duhet të fokusohet gjithashtu në heqjen e pengesave të mëtejshme që vijnë nga BE. Nga njëra anë, Gjermania dhe Franca, si vende udhëheqëse të Bashkimit, duhet të përdorin peshën e tyre politike në një procedurë të koordinuar për të vendosur piketa konkrete për anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE. Nga ana tjetër, ato duhet të ofrojnë edhe mjetet e duhura financiare për një shtytje të madhe të investimeve në infrastrukturë në rajon.

Për më tepër, është e rëndësishme që vendet anëtare të BE-së të kuptojnë se është në interesin e tyre të shpërbëjnë një ‘vrimë të zezë’ ekonomike dhe politike në mes të kontinentit evropian. Në veçanti, shtetet fqinje të BE-së rreth Ballkanit Perëndimor duhet të shfrytëzojnë mundësinë për të përmirësuar situatën e tyre ekonomike dhe politike duke mbështetur shtetet e Ballkanit Perëndimor në zhvillimin e tyre drejt tregut të përbashkët, i cili, duke gjykuar nga valët e kaluara të anëtarësimit, pritet të ofrojë një nxitje e fortë ekonomike rajonale.

Vendet anëtare më të zhvilluara të BE-së duhet të rrisin mbështetjen për të menaxhuar aspektet teknike të procesit të anëtarësimit, siç bënë në rastet e Bullgarisë dhe Rumanisë. Gjithashtu, duke qenë se çështja e qeverisjes është e lidhur ngushtë me nivelin e zhvillimit ekonomik, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për mbështetje të fuqishme administrative.

3- Të rritet mbështetja financiare

Rekomandimi i tretë i referohet idesë se Procesi i Berlinit duhet të sigurojë mbështetje më të madhe financiare për Ballkanin në mënyrë që të rrisë zhvillimin ekonomik dhe të ulë pabarazitë sociale. Mënyra më e mirë për të arritur këtë objektiv do të ishte integrimi i plotë i shteteve të Ballkanit Perëndimor në procesin buxhetor të BE-së përpara anëtarësimit të plotë. Në këtë mënyrë, fondet që shtetet e Ballkanit Perëndimor marrin nga BE-ja do të rriteshin dy deri në tre herë, gjë që do të kishte një ndikim të madh në të ardhurat në rajon, ndërkohë që do të ishte një sasi e papërfillshme për anëtarët e themeluar të BE-së. Nëse kjo nuk është e mundur, Procesi i Berlinit dhe aktorët e tij kryesorë nga BE-ja (dhe ndoshta palë të tjera të interesuara si Norvegjia, Zvicra apo Japonia) duhet të ofrojnë një mbështetje të tyre për investimet në infrastrukturë në rajon dhe për shpenzime më të larta sociale.

4- Të fuqizohen aktorët lokalë

Rekomandimi i katërt lidhet me fuqizimin e aktorëve lokalë. Kjo mund të jetë e vështirë, duke qenë se procesi ka filluar prej disa kohësh, pa ndonjë rritje të dukshme të pronësisë rajonale. Megjithatë, një nismë e fundit lokale mund të jetë e dobishme për këtë qëllim. Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë nisur një nismë për bashkëpunim rajonal të quajtur Ballkani i Hapur. Edhe pse nisma nuk është pa probleme (veçanërisht sepse nuk përfshin të gjitha ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, por vetëm tre prej tyre), ajo ka një avantazh të qartë ndaj Procesit të Berlinit: mbështetet dhe drejtohet nga aktorët vendas, dhe politikanët dhe vendimmarrësit politikë të Ballkanit janë shumë më të përkushtuar ndaj këtij projekti sesa ndaj çdo nisme tjetër. Procesi i Berlinit duhet të përpiqet të bashkohet ose të paktën të mbështesë “Open Ballkan” dhe të bashkëpunojë me iniciativën. Kombinimi i pronësisë lokale dhe shtysa e dhënë nga nisma e Ballkanit të Hapur me fokusin më të gjerë të Procesit të Berlinit dhe mbështetjen e tij nga Gjermania mund të arrijë rezultate të mëdha.

Samiti i fundit i 9-të i Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor i mbajtur në Berlin për fat të mirë ka ndërmarrë hapa në drejtimin e duhur në lidhje me disa nga këto sugjerime. Është për t’u përshëndetur, për shembull, që kancelari Scholz ka deklaruar angazhimin e tij për zgjerimin e Bashkimit Evropian për të përfshirë shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe e ka lidhur suksesin e këtij zgjerimi të BE-së me Procesin e Berlinit. Megjithëse procesi ende përqendrohet tepër në bashkëpunimin rajonal në vend të masave konkrete për të përshpejtuar miratimin e acquis communautaire, marrëveshjet e lëvizshmërisë të lidhura në samitin për lirinë e lëvizjes së qytetarëve në Ballkanin Perëndimor janë, natyrisht, një hap shumë i mirëpritur./MONITOR

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!