Eksod nga Bosnja, njerëzit largohen nga korrupsioni dhe papunësia

schedule08:30 - 14 Dhjetor, 2022

schedule 08:30 - 14 Dhjetor, 2022

Gjithnjë e më shumë njerëz largohen nga ky vend i Ballkanit. Ata shkojnë në Perëndim në kërkim të një jete më të mirë. Shumë prej tyre ndihen të lënë në baltë, sidomos nga komuniteti ndërkombëtar.

Valixhet bëhen gati, bileta prenotohet. Për të shkuar nga Sarajeva, Tuzla ose Banja Luka në veri, në Ljubjanë, Mynih, Vjenë apo Malmo. Biletë pa kthim, sepse kthimi nuk është planifikuar hë për hë.

Ka vite që të rinjtë nga Bosnja dhe Hercegovina dhe vende të tjera të Ballkanit largohen nga vendi i tyre. Dukuria e quajtur Brain Drain, rrjedhje truri, ka kohë që është kthyer në eksod masiv. Edhe ata që kanë një punë të mirë në vendin e tyre, duke punuar për shembull për organizatat ndërkombëtare, njohin vetëm një gjë, largimin që andej.

Një nga ato që ka hedhur pikërisht këtë hap është Hana Curak. Ka disa vite që 28 vjeçarja jeton larg atdheut, Bosnjës, dhe punon sot si bashkëpunëtore shkencore në Universitetin Humbold në Berlin. Ajo thotë se në Bosnjë asaj i mungonte mirëkuptimi për njerëzit ose aktivitetet progresive. Strukturat e pushtetit janë shumë të betonuara.

Shifrat janë alarmante: Në vitin 1991 Bosnjë Hervegovina kishte 4,3 milionë banorë, sot ka rreth 3 milionë. Me mijëra largohen nga vendi infermierët, fizioterapistët dhe zanatçinjtë. Dhe sipas parashikimeve të OKB, largimi do të vazhdojë. Deri në vitin 2050, rreth 500 mijë boshnjakë të tjerë do të largohen nga vendi.

Varfëri, sistem i dobët shëndetësor, korrupsion dhe pasiguri pensioni

Që gjatë luftës (1992-1995) qindra mijëra vetë u larguan nga vendi për shkak të tmerreve. Por vala aktuale e ikjeve ka shumë arsye: gjendja e vështirë ekonomike, kujdesi i keq shëndetësor, korrupsioni dhe pasiguria e pensioneve. Por jo vetëm së fundmi si arsye që i bën njerëzit të largohen nga vendi shihet edhe politika helmuese e naconalistëve.

Partitë radikale, ajo e boshnjakëve (SDA), e kroatëve (HDZ) dhe serbëve (SNSD) e kanë ndarë vendin për vete dhe kontrollojnë dhënien e punëve fitimprurëse. Njerëzit pa teser partie shpesh nuk kanë shanse të marrin vende pune gjatë pokerit për zgjedhjen e personelit. Kritikët ankohen, se politikanët nuk punojnë për qytetaret dhe qytetarët, por për të pasuruar veten dhe familjet e tyre.

Stacioni i autobusëve në Sarajevë, njerëzit largohen me one way ticket drejt Europës verioreStacioni i autobusëve në Sarajevë, njerëzit largohen me one way ticket drejt Europës veriore

Demokratët nxirren nga loja

Me Marrëveshjen e paqes së Dejtonit të 1995, vërtet që iu dha fund luftës trevjeçare, por dominanca e nacionalistëve u betonua në Status Quo. Kategoria e qytetarëve (pra njerëzve që nuk bëjnë pjesë në asnjë nga grupet e caktuara etnike) u zhduk, duke bllokuar kështu për një afat të gjatë normalizimin demokratik të vendit. “Nga vendi janë larguar në numër i madh njerëzish me bindje demokratike,” konstaton politologia Tanja Topic, e cila punon në Banja Luka për fondacionin gjerman Friedrich-Ebert, fondacion i afërt me partinë socialdemokrate gjermane.

Për këta njerëz nuk ka vend në Bosnjë Hervegovinë, ata u nxorrën nga loja prej nacionalizmit helmues dhe strukturave kriminele. Edhe në sistemin e arsimit njerëzit u ndanë në kategori etnike. “Unë e dua vendin tim,” psherëtin një nënë e cila ka bërë plane të largohet nga vendi me vajzën e saj. Por nuk e duroj dot as për vete, as për fëmijët e mi kaosin e politikës, urrejtjen që ajo përhap, thotë ajo.

Betonim i Status Quo-së

Përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar i kanë dërguar herë pas here apele politikanëve boshnjakë, duke kërkuar që t’i mbajnë njerëzit në vend. Ndërkohë janë ndërmjetësuesit ndërkombëtarë ata që me politikën e tyre kontraverse, krijojnë një realitet që i bën njerëzit gjithnjë e më shumë që të largohen nga vendi.

Në zgjedhjet e fundit të 2 tetorit 2022, përfaqësuesi i lartë i OKB, gjermani Christian Schmidt, ndryshoi në mënyrë retroaktive sistemin zgjedhor. Parlamentarët e BE-së e kritikuan ashpër këtë si “akt jodemokratik”, votat e zgjedhëseve dhe zgjedhësve shkuan në favor të partisë radikale nacionaliste të kroatëve, HDZ. Përveç kësaj, thotë politologia Topic, manipulimi i zgjedhjeve në atë pjesë të vendit ku dominojnë serbët, në Republika Srpska, “u legjitimua nga ndërkombëtarët”.

Humbje e madhe besimi 

Shihet hapur se Uashingtoni, Brukseli dhe Berlini përpiqen të ruajnë Status Quo-në e brishtë. Në këtë mënyrë ata stabilizojnë pushtetmbajtësit e korruptuar dhe jo liberalë. Manovra të tilla bëjnë që popullsia të humbasë shumë besimin tek Perëndimi. Njerëzit ndihen të lënë në baltë, dhe kërkojnë fatin diku gjetkë.

Shembull i mirë që tregon dështimin e komunitetit ndërkombëtar ka qenë vrasja e studentit David Dragicevic, e cila nxiti në vitin 2018 protesta që zgjatën me muaj të tërë. Nën moton “Drejtësi për Davidin”, aktivistët kërkuan në protestat e tyre në Banja Luka zbardhjen e krimit. Prindërit mendojnë se i biri ka rënë viktimë e një karteli droge, që ka lidhje deri në rrethet më të larta të politikës.

Por delegacioni i BE-së, duke pasur parasysh udhëheqësin e serbëve Milorad Dodik, nuk e mbështeti kërkesën për zbardhjen e ngjarjes, thotë një ish- punonjëse e politikanit. Grupe të pushtetshme, që mund të kenë qenë të përziera në vrasje, bënë presion mbi demostruesit aq gjatë sa protestat nuk vazhduan më. Deri më sot vrasja nuk është zbardhur.

BE – Mbrojtje e vlerave europiane

Ka vite që vendime të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut për diskriminimin e hebrejve, romëve dhe qytetarëve të tjerë presin të zbatohen. Në vend që të verë në jetë të drejtat e përgjithshme qytetare, Përfaqësuesi i Lartë ka krijuar një sistem aparteidi, thotë aktivistja e të drejtave të njeriut, Azra Zornic. BE nuk arrin të ketë sukses kur bëhet fjalë për mbrojtjen e vlerave të veta në Bosnjë.

“Kur aktorët perëndimorë nuk mund të shihen më si garanci për zhvillimet demokratike, atëherë çështja bëhet kritike,” thotë analistja Lejla Gacanica. Në luftën kundër elitave kriminele, shumë vetë ndihen të lënë në baltë.

Tokë pjellore për radikalizim

Protesta proserbe në Banja LukëProtesta proserbe në Banja Lukë

Jo vetëm në Bosnjë por edhe në shtete të tjera të Ballkanit, zhgënjimi është duke u rritur: Aktualisht 67 përqind e brezit të ri, thotë Balkanbarometer për vitin 2022, mendon që të largohet nga rajoni. Në këtë mënyrë vendet humbasin shumë nga kapitali human dhe forca ekonomike. Në shumë qytete që nga Beogradi deri në Sarajevë mungojnë zanatçinjtë: “Ata kanë shkuar në Berlin,” thuhet me të madhe. Pasojat: Popullsia e varfër gjithësesi paguan çmime të larta për shërbime të këqija të sektorit të shërbimeve.

Por mbi të gjitha shoqëria bëhet gjithnjë e më e prekshme nga radikalizime të tjera. “Meqenëse mishëruesit e vlerave liberale dhe demokratike largohen,” thotë politologia Topic,” dobësohet gjithnjë e më shumë rezistenca kundër nacionalizmit dhe shpërdorimit të pushtetit.”

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!