EKSKLUZIVE/ Viti 1979, kur Sigurimi asgjësonte sekretet për Ismail Kadarenë

schedule21:56 - 26 Maj, 2020

schedule 21:56 - 26 Maj, 2020

Emrin e shkrimtarit më të shquar shqiptar të të gjitha kohërave, Ismail Kadare, për herë të fundit e shpërdoruan duke e lidhur me historinë e prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar.

Sipas atyre që e pyetën, ai nuk u prononcua për çështjen duke u justifikuar me moshën dhe shëndetin.

E në fakt, ata që e kanë takuar të fundit, e dinë që edhe mosha edhe shëndeti i tij janë në nivel të barabartë, ose edhe më keq se përgjigjja e dhënë.

Gjithsesi komentet për mosprononcimin e tejkalonin kujdesin për moshën, apo qoftë respektin për veprën, duke shkuar në akuza të vjetra sipas të cilave ai, pra Kadareja, ka qenë një shërbëtor i komunizmit e të tjera të ngjashme.

Por ata që e kanë njohur mirë sistemin komunist edhe janë mrekulluar me guximin e këtij shkrimtari, pasi në shumica e veprës së tij më të mirë flitet për një tjetër realitet: vetëm Ismail Kadareja guxonte të dilte nga hullia strikte e socrealizmit.

Kjo ka shembuj – jo vetëm kapituj – por romane të tërë, si “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”, “Piramida” etj.

Po kështu, Sigurimi i Shtetit dhe herë pas herë vetë Enver Hoxha janë përplasur fort me Ismail Kadarenë, siç ishte rasti i vargjeve “Pashallarët e kuq”.

Sigurisht që Ismail Kadareja ka pasur edhe mbrojtjen e regjimit, por këtu pikëpyetja  mund të marrë edhe përgjigje: Shumë i famshëm për ta kafshuar.

Me kalimin e kohëve, një numër i konsiderueshëm dokumentesh sekrete kanë konfirmuar edhe një Ismail Kadare të përndjekur dhe të denoncuar.

Dokumenti ekskluziv që ABC News publikon e vërteton edhe njëherë ndjekjen e survejimin e tij nga Sigurimi i Shtetit.

Dokumenti që i përket Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit, mban datën 12 janar 1979 dhe përbëhet nga një listë shkrimtarësh, publicistësh e të tjerë, të cilëve do u asgjësoheshin materiale që përbënin informacione sekrete, sigurisht të dhëna për veprimtari jashtë normave të kohës.

Në kokën e dokumentit shkruhet se këto materiale u përkasin A.K.P., domethënë anëtarëve dhe kandidatëve të Partisë, mes të cilëve, në faqen e dytë, rreshti i parafundit, është përfshirë edhe Ismail Kadareja.

Sipas Platformës së Sigurimit të Shtetit, anëtarët e Partisë, qysh nga vitet 1948-1949, nuk mund të bëheshin objekt i survejimit dhe ndjekjes nga Sigurimi i Shtetit, pasi Partia llogaritej përmbi policinë politike.

Për këto arsye, Sigurimi i Shtetit, sa duket ka vendosur të asgjësojë disa të dhëna për Ismail Kadarenë, ndërkohë që në krye të faqes së parë shkruhet se një pjesë dokumentesh të ngjashme do të vazhdojnë të ruhen. /abcnews.al