Gazetarja e “ABC” Xhensila Kodra ka zbuluar emrin e personit që ishte në shënjestër të atentatit në Tiranë, por fatmirësisht pas informacioneve në rrugë operative policia e Lezhës arriti që ta parandalonte duke goditur grupin.
Kush ishte shënjestra?
“ABC” e disponon emrin, por për arsye të hetimit ka vendosur që të mos e bëjë publik. Personi që ishte vendosur në shënjestër për t’u vrarë nga grupi i Lezhës u ka shpëtuar më parë dy atentateve.
Në 7 gusht të këtij viti shënjestra së bashku me gruan e tij u qëlluan me armë zjarri pranë shtëpisë së tyre në Kamëz. Fatmirësisht të dy arritën që të shpëtonin me plagë të lehta. Burri mori një plagë në brinjë, ndërsa gruaja në këmbë.
Tre vite më parë çiftit në pragun e derës së shtëpisë në Kamzë që tashmë është e blinduar nga kamerat e sigurisë iu vendos një sasi eksplozivi. Ndërkohë që edhe atentatorëve gjatë kësaj kohe u është vendosur eksploziv në Lezhë. Asnjëra nga ngjarjet në Kamzë dhe në Lezhë nuk ishin zbardhur deri tani.
Tre të arrestuar
Të arrestuarit në kuadër të operacionit “Mataro” janë Mark Lamkja, vjehrri i tij Nikoll Marku dhe vjehrra Marie Marku, ndërkohë që në kërkim janë shpallur Edmir Vlashi, që është dhëndri i dytë i familjes Marku dhe Hektor Ndoka.
Hektori që është është shok dhe bashkëpunëtor i Edmirit e ka ndërruar mbiemrin nga Sadiku në Ndoka. Po ashtu edhe Edmir Marku e ka ndërruar mbiemrin për shkak të konflikteve duke e bërë Vlashi.
Heshtja
Gazetarja Xhensila Kodra mëson se personat e arrestuar deri tani, dhëndri bashkë me vjehrrin dhe vjehrrën nuk kanë pranuar që të japin asnjë deklaratë përpara grupit hetimor. Të tre kanë heshtur për arsenalin e armëve dhe shumën e konsiderueshme në euro që iu gjet dhe sekuestrua, por edhe akuzat për atentatin që ishte planifikuar në Tiranë.
Konfliktet
Konfliktet mes të arrestuarve në Lezhë dhe shënjestrës së tyre në Tiranë kanë nisur disa vite më parë në Belgjikë për shkak të prishjes së pazareve nga aktivitetet kriminale. Pas largimit nga Belgjika filloi larja e hesapeve në atdhe me tritol dhe atentate.
Arsenali i armëve
Në momentin që policia ndërhyri për të goditur grupin u sekuestruan mina me telekomandë, arsenal armësh e municionesh, drogë dhe një shumë e konsiderueshme eurosh e përfituar nga veprimtaria kriminale.
Konkretisht janë sekuestruar 2 mina me telekomandë, me lëndë eksplozive C-4, të përgatitura gati për shpërthim, të cilat sipas të dhënave rezulton se janë prodhuar në një vend fqinj me Shqipërinë. 88.900 euro, të ndara në tufa mes tyre me 500-çe të cilat sipas policisë janë të përfituara nga aktiviteti kriminal në fushën e lëndëve narkotike.
Gjithashtu u sekuestruan 2 armë automatike me shënjestër optike, 2 kallashnikovë, 1 armë automatike model “Scorpions”, me silenciator me dy krehra, 1 armë zjarri pistoletë model “Glock”, me një krehër me 11 fishekë, fishekë luftarak, kapsolla detonatore, fitil zjarrrpërcejllës, 1 armë gjahu, 2 radio marrëse-dhënëse si ato të policisë, 2 skafandra motori dhe një makinë.
Armët e sekuestruara sipas policisë do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë, për ekzaminime të mëtejshme, pasi nga informacionet e grumbulluara dyshohet se këto armë janë përdorur edhe në ngjarje të tjera kriminale të ndodhura më parë./ db/Abcnews.al