EKSKLUZIVE/ Falet gjoba 5 milion euro ndaj kartelit të miellit, Komisioni i Konkurrencës nuk vendos dot: Prapaskenat e mbledhjes së sotme

schedule14:59 - 29 Shtator, 2021

schedule 14:59 - 29 Shtator, 2021

Autoriteti i Konkurrencës nuk ka mundur sërish që të ndëshkojë importuesit e miellit dhe grurit pavarësisht se i kishte kapur me shkelje gjatë hetimit të mbyllur në korrik të vitit të shkuar.

Abcnews.al mëson ekskluzivisht se në mbledhjen e sotme të Komisionit të Konkurrencës nuk është vendosur masa e ndëshkimit me gjobë për kompanitë shkelëse. Ndërkohë që pritej gjobitja e pesë kompanive të kapura me shkelje, Komisioni i Konkurrencës e ka patur të pamundur që të ndërmarrë një hap të tillë.

Lexo edhe: Shqiptarët të irrituar me shtrenjtimin e bukës: Importuesit e grurit, marrëveshje kartel, kujt i shërben Autoriteti i Konkurrencës?

Nisur nga situata e krijuar, Komisioni i Konkurrencës, bëjnë me dije burimet e abcnews.al ka vendosur që të rihapë tjetër hetim mbi të gjithë tregun e miellit në vend për të parë në tërësi segmentet e integrimit vertikal të kompanive, ku pritet që të zbulohet qartë se rritja e çmimit të bukës ka ardhur për shkak të veprimtarisë joligjore të kompanive.

Kjo sipas Komisionit do të vërtetojë nëse ka patur vërtetë shkjelje apo jo pasi raporti aktual është i paplotë.

Shkaku

Burime bëjnë me dije se Komisioni i Konkurrencës është gjetur para një raporti të hartuar nga administrate e Autoritetit të Konkurrencës, i cili nuk përshkruante situatën aktuale në tregun e miellit, por i referohej asaj të një viti më parë.

Lexo edhe: Shtrenjtimi i bukës, Konkurrenca i kapi me shkelje, por fali importuesit e miellit: Tani do shohim nëse do të gjobitën

Në këtë raport ishte parashikuar një gjobë 5 milion euro kompanive Agro Blend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA, Atlas SHA dhe Atlas Mills SHPK, por Komisioni nuk ka mundur t’a miratojë atë pasi në raport janë konstatuar mungesa të theksuara që nuk lidheshin me realitetin e sotëm.

Si funksionon vendimarrja në Autoritetin e Konkurrencës
Autoriteti i Konkurrencës ka si organ ekzekutiv Komisionin e Konkurrencës, i cili merr vendimet sipas të dhënave të përshkruara në raportin që vjen nga administrate e këtij autoriteti, e cila drejtohet nga Sekretari i Përgjithshëm.

Pasi marrin në dorë raportin, Komisionerët vendosin duke marrë në konsideratë konstatimet në raport si burimin ekskluziv nga i cili do të burojë vendimarrja e tyre. Në rastin në fjalë, raporti i dërguar nga administrata e Autoritetit të Konkurrencës ishte tepër i dobët, gjë që bëri që kompanitë shkelëse të falen sërish.

Ka qenë detyra e administratës për të hartuar një raport profesional, përmes të cilit do të ndëshkoheshin importuesit e miellit për shkeljen e ligjit, me pasoja të rënda për qytetarët.

Në një farë mënyrë, konsumatorët shqiptarë, të cilët presin që ky autoritet të mos lejojë kartelet në treg, janë tradhtuar sërish nga institucionet.E.Senja /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!