Një ditë në fushatë me Lulzim Bashën, një intervistë ndryshe. Mbrëmjen e sotme emisioni “Log.” i drejtuar nga Endri Xhafo në ABC u zhvendos nga studio, në makinën e liderit demokrat në lëvizje me itinerar nga selia e PD-së në drejtim të qytetit të Elbasanit.
Të shikosh një politikan, aq më tepër drejtuesit e lartë në timon është shumë e rrallë, pasi kohën e udhëtimit e shfrytëzojnë për të dërguar mesazhe apo komunikuar në telefon. E pazakontë ishte edhe për kryedemokratin që në kulmin e fushatës, 10 ditë përpara zgjedhjeve t’i jepte vetë makinës. “Sinqerisht nuk po më besohet që kam këtë privilegj që në mes të fushatës të kem mundësinë t’i jap makinës. Faleminderit për mundësinë” tha ai.
Në 10 vitet e fundit, Basha u shpreh se kanë qenë shumë të rralla rastet kur i ka dhënë vetë makinës. “Po bën më shumë se 10 vite që e kam pasur të pamundur, me ndonjë rast të rrallë rrugëve rurale me Aurelën. Që i numëroj me gishtat e një dore. Përgjigja që kam është faleminderit për mundësinë që më jep. Dhe justifikimi ishte, është aktivitet mediatik, nuk po e marr për qejf” tha ai duke buzëqeshur.
Gazetari Endri Xhafo u shpreh se spunton për të realizuar intervistën në këtë mënyrë e kishte marrë nga fotoja e tij në drejtimin e makinës disa javë më parë që shkaktoi edhe reagime për metaforën dhe u përkthye sikur donte të thoshte se kërkonte timonin. E ndërsa me një “thumb” për rivalin e tij politik e cilësoi si të shpërdoruar metaforën e timonit, Basha tha se detyra e tij është t’u drejtojë rrugën drejt ndryshimit shqiptarëve.
“Ishte foto e një shëtitje në një të diele relaksi në rrugët rurale të Tiranës por metafora e timonit, nuk është metafora ime, pasi unë besoj se timoni u takon shqiptarëve, nuk i takon një njeriu të vetëm, ndërsa drejtuesve u takon të tregojnë rrugën. Është shpërdoruar shumë si metaforë. Të rrëfesh rrugën drejt ndryshimit është përgjegjësia ime” tha ai./ db/ Abcnews.al