Detyrat e vendosura ndaj Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian duket se kanë qenë një shtysë e fortë për reformat në ekonomi.Banka botërore ka prezantuar raportin mbi financat publike ku thekson se ekonomia shqiptare vijon të përparojë me ritme të qëndrueshme, por për të përshpejtuar më tej rritjen ekonomike, për të krijuar vende pune ritmi i reformave duhet të fokusohet në gjetjen e stafit të kualifikuar dhe sfidat klimatike.
“Buxheti i Shqipërisë është i përqendruar kryesisht tek pensionet, pagat dhe investimet kapitale, ndërsa shpenzimet për shëndetësi, arsim dhe politikat e tjera sociale mbeten relativisht modeste. Raporti identifikon mundësi për të përmirësuar efikasitetin në sektorët kyç, duke siguruar përfitime më të mira nga burimet ekzistuese dhe duke i kthyer shpenzimet në përfitime konkrete për qytetarët. Perspektivat e rritjes ekonomike së Shqipërisë varen nga forcimi i kapitalit njerëzor, përmirësimi i infrastrukturës dhe avancimi i politikave klimatike për të përshpejtuar konvergjencën me BE-në, veçanërisht në kontekstin e ndryshimeve demografike”
Sipas ekspertes së Bankës Botërore rritja ekonomike e Shqipërisë është nxitur kryesisht nga konsumi dhe turizmi .
“Shqipëria ka arritur stabilitet makroekonomik, por që të ruhet rritja afatgjatë duhen adresuar sfidat strukturore të vazhdueshme. Rritja mesatare vjetore e PBB-së arriti në 3.2 për qind gjatë periudhës 2014– 2024, e nxitur kryesisht nga konsumi i brendshëm, turizmi dhe ndërtimi, ku rol kyç në vitet e fundit kanë luajtur rindërtimi pas tërmetit dhe investimet e huaja. Varfëria është reduktuar me 20 pikë përqindjeje, ndonëse ndikimi rishpërndarës i politikës fiskale.”
Banka Botërore kërkon një vëmendje të shtuar edhe në drejtim të ndryshimeve demografike ndërsa deri në vitin 2060, rreth 29–34% e popullsisë parashikohet të jetë mbi moshën e pensionit.

