Ekonomia po i kthehet normalitetit, por oferta për punë mbetet e ulët, vetëm 390 vende aktualisht

schedule07:17 - 10 Qershor, 2021

schedule 07:17 - 10 Qershor, 2021

Që nga fillimi i krizës pandemike, ofertat për vende të lira të pune kanë pësuar rënie të ndjeshme, por edhe pas hapjes së ekonomisë, zyrat shtetërorë te punës po përballen me një fluks të ulët ofertash për punë nga bizneset.

Aktualisht zyrat e punës në të gjithë vendin kanë shpallur vetëm 390 oferta për punë. Pjesa më e madhe e tyre rrethe 83 janë në qytetin e Durrësit, 55 në Tiranë, 30 në Elbasan, 22 në Shkodër, 18 në Sarandë, 14 në Vlorë, 12 në Lezhë ndërsa në bashkitë e tjera ka një numër më të ulët.

Pjesa më e madhe e vende të lira të punës janë për sektorin e industrisë, punëve artizanale dhe turizmit.

Vetëm 10 për qind e vendeve të lira të punës kërkojnë persona me arsim të lartë, ndërsa 90 për qind kërkojnë punonjës me arsim të 9-vjecar, të mesëm apo profesional. Gati 50 për qind e ofertës është për pagë minimale, ndërkohë që nuk ka asnjë ofertë për vend punë me pagë mbi 100,000 lekë/muaj.

Oferta e për vende të lira pune ra ndjeshëm në zyrat e punës gjatë periudhës së pandemisë. Në vitin 2018 dhe 2019 bizneset ofruan nga 40 mijë vende punë të lira në secilin vit.

Por ndërkohë që oferta e bizneseve është tkurrur kërkesat për punë në zyrat e punësimit kanë pësuar rritje të ndjeshme gjatë pandemisë.

Sipas Observatorit të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) gjatë vitit të pandemisë, nga marsi 2020 në mars 2021 rreth 66,770 persona u regjistruan sërish në Zyrat e Punës në kërkim të punësimit. Numri i punëkërkuesve thuajse u dyfishua në krahasim me para pandemisë, teksa kulmi u shënua në muajin prill 2020, kur mbi 12,744 persona u regjistruan për punësim. Në mars – prill 2020 ishin flukset më mëdha të regjistrimeve të cilat u nxitën nga kushtet e qeverisë për të përfituar nga paketat e ndihmës gjatë pandemisë. Kërkesat ranë disi me hapjen e ekonomisë dhe fillimin e sezonit veror, por regjistrimet nisën sërish me rritjen në muajin shtator 2020 e cila ka vijuar të jetë e lartë edhe për tre muajt e parë të vitit 2021.

Analizat e institucioneve financiare ndërkombëtare tregojnë se, tregu i punës në Shqipëri do të jetë ndër më të goditurit në rajon për shkak të varësisë së lartë nga sektori i shërbimeve dhe tregtisë, si dhe informalitetit të lartë.

Gjithashtu tregu i punës në Shqipëri vuan nga mungesa e aftësive dhe orientim të dobët të arsimit me nevojat e tregut të punës. /Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!