Nga Erblina Mile
Ekonomia shqiptare ka pasqyruar efektet negative të krizës së çmimeve. Në tremujorin e dytë të këtij viti në Shqipëri rritja e çmimeve të karburanteve dhe ushqimeve arriti kulmin si pasojë e luftës Rusi- Ukrainë .Sipas të dhënave të INSTAT në tremujorin e dytë të këtij viti rritja ekonomike është ngadalësuar ndjeshëm duke kapur nivelin 2.23% nga 17.6% që ishte për të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Situata është përkeqësuar duke reflektuar situatën e vështirë që është shkaktuar nga çmimet e larta dhe problemet me furnizimin e energjisë. Ky nivel i rritjes ekonomike rezulton më i ulëti për këtë periudhë që prej fundit të vitit 2020 kur ekonomia u godit rënë për shkak të pandemisë së COVID.
Ndikim negativ në rritjen ekonomike ka dhënë sektori i energjisë dhe i ndërtimit.
Sipas INSTAT aktiviteti i Ndërtimit u ul me -0,49 %, Industri, Energji dhe Uji me -0,46% si dhe Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me -0,32%.
Vijimi i krizës së çmimeve pritet të japë efekte edhe më negative në ecurinë e rritjes ekonomike në muajt në vijim. Së fundmi edhe Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim ka ulur së fundmi parashikimet për rritjen ekonomike të Shqipërisë në 3% .Ndërkohë që Fondi Monetar Ndërkombëtar ka parashikime më pesimiste dhe vlerëson se konomia shqiptare do të rritet për këtë vit vetëm me 2%. /abcnews.al