Ekonomia në rritje/ Banka Qendrore: Por zhvillimet ndërkombëtare sjellin pasiguri

schedule19:30 - 5 Tetor, 2023

schedule 19:30 - 5 Tetor, 2023

Ekonomia shqiptare ka pasur një ecuri të kënaqshme në gjysmën e parë të vitit. Sipas Bankës së Shqipërisë, norma e rritjes vjetore të Prodhimit të Brendshëm Bruto ishte 3.2% në fund të tremujorit të dytë të vitit.

Por rreziqet për zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend mbeten të pranishme. Banka Qendrore argumenton se ato lidhen me pasigurinë që mbartin zhvillimet gjeopolitike dhe të tregjeve ndërkombëtare, por edhe me ecurinë e inflacionit dhe ndikimin e rreziqeve të tregut.

Pavarësisht rritjes së normave të interesit sistemi bankar nuk ka shfaqur problematika. Drejtori i Stabilitetit Financiare në Bankën e Shqipërisë Klodion Shehu sqaron se niveli kredive të këqija ka pasur një rritje të lehtë në pjesën e parë të këtij viti por mbetet në nivele të qëndrueshme.

“Shikojmë kryesisht raportin e kredive me probleme, i cili ka pësuar një rritje të lehtë gjatë periudhës. Ka qenë e pritshme sepse lidhet kryesisht me rritjen e normave të interesit dhe efektin që kjo ka në aftësinë paguese të huamarrësve. Megjithatë, niveli i kredive me probleme është luhatur rreth nivelit 5- 5.2 për qind për disa tre mujorë radhazi kështu që paraqitet i qëndrueshëm”, theksoi ai.

Banka e Shqipërisë ka miratuar së fundmi një rregullore duke synuar të rrisë transparencën nga bankat për subjektet kredimarrëse në sektorin e pasurive të paluajtshme. Kjo pasi çmimet e apartamenteve po rrisin kërkesën për kredi./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!