Ekonomi, rritja në Eurozonë tejkalon parashikimet

schedule23:00 - 30 Prill, 2019

schedule 23:00 - 30 Prill, 2019

Rritja ekonomike për tremujorin e parë të vitit në Eurozonë ka tejkaluar parashikimet. Por ekspertët paralajmërojnë se pavarësisht të dhënave pozitive, rritja po plaket dhe pritshmërinë për periudhat në vijim nuk duhet të jenë shumë të larta.

Ekonomia në zonën Euro u rrit më shumë se parashikimet në tremujorin e parë të vitit, ndërsa papunësia ra në nivelin më të ulët në dekadën e fundit. Zyra evropiane e statistikave, EUROSTAT deklaroi se sipas vlerësimeve paraprake, prodhimi i brendshëm në 19 vendet që ndajnë monedhën e përbashkët u rrit me 0.4 për qind në tre muajt e parë të 2019-s, nga 0.2 për qind që ishte në tremujorin e fundit të vitit parardhës. Sipas vlerësimeve, vit pas viti GDP-ja e zonës Euro është rritur me 1.2 për qind, kuotë kjo e verifikuar edhe në fund të 2018-s. Të dhënat e EUROSTAT përfshijnë edhe nivelin e GDP-së së Gjermanisë, që vazhdon të mbetet ekonomia më e madhe e Evropës. Ekonomistët kishin parashikuar një rritje prej 0.3 për qind për tremujorin dhe një rritje prej 1.1 për qind në nivel vjetor. Të pyetur nga agjencia e lajmeve “Reuters”, ata vënë në dukje se pavarësisht të dhënave pozitive, rritja po plaket dhe pritshmërinë nuk duhet të jenë shumë të larta. Gjithashtu, shifrat e fundit i japin pak indice Bankës Qendrore Evropiane për manovrat që duhet të bëjë; konkretisht nëse duhet të vijojë ose jo me lehtësimin e politikës monetare, apo me shtrëngimin e saj. Vetë BQE, që në fund të vitit të kaluar zgjodhi shtrëngimin përballë inflacionit të ulët, kishte parashikuar që rritja për tremujorin e parë të vitit të ishte 0.2 dhe në nivel vjetor 0.3 për qind./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!