Përpjekjet për të shpëtuar një fëmijë në Marok që ra në një pus uji pranë qytetit të Chefchaouen po i afrohen fundit. Fëmija, të cilin mediat lokale e kanë identifikuar si një djalë pesë vjeçar i quajtur Rayan, thuhet se po luante pranë pusit në qytetin verior të Tamrout, 100 km nga Chefchaouen. Rayan besohet të ketë rënë rreth 32 metra përmes një hapjeje të ngushtë.
Operacionet e shpëtimit, të udhëhequra nga Drejtoria e Mbrojtjes Civile të Marokut kanë vazhduar që nga mbrëmja e së martës. Shpëtimi i fëmijës po afrohet, tha zëdhënësi i qeverisë Mustapha Baitas të enjten në mbrëmje. “Zemrat tona janë me familjen dhe lutemi që ai të kthehet me ta sa më shpejt të jetë e mundur”.
Pamjet nga një kamerë e ulur në pus treguan se djali mbetet gjallë dhe i vetëdijshëm, megjithëse dukej se vuante nga disa lëndime të lehta në kokë. Punonjësit e shpëtimit kanë ulur një maskë oksigjeni, ushqim dhe ujë në pus dhe një ekip mjekësor është gjithashtu në vend, gati për të trajtuar djalin raporton “BBC”. Në vendngjarje ka mbërritur edhe një helikopter për ta dërguar në spital pasi të nxirret nga pusi.
Mijëra njerëz kanë parë pamjet e shpëtimit në mediat sociale dhe një grup i madh shikuesish janë mbledhur në vendngjarje. Mediat lokale raportuan se autoritetet provinciale po mbikëqyrin përpjekjet e shpëtimit dhe se dhjetëra policë, forca ndihmëse, xhandarmëri mbretërore dhe oficerë të mbrojtjes civile janë përfshirë tani në operacion. Mohamed Yassin El Quahabi, president i Shoqatës Chefchaouen të Shpellave dhe Aktiviteteve Malore, që ka ndihmuar operacionin e shpëtimit i tha “BBC-së” se ngushtësia e pusit ka penguar përpjekjet e shpëtimit.
Ai shtoi se disa përpjekje nga vullnetarët vendas dhe punëtorët e shpëtimit për të fituar akses përmes hapjes së pusit tashmë kanë dështuar. “Problemi i këtij shpëtimi është se diametri i vrimës është shumë i vogël, rreth 25 cm,” tha zoti El Quahabi. “Në thellësinë 28 metra u bë më i vogël, kështu që ne nuk mund ta arrinim atë”. Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë pesë buldozerë që gërmojnë një zonë të madhe paralelisht me boshtin e jashtëm të pusit për të provuar dhe punuar rreth strukturës së ngushtë.
Deri të enjten në mbrëmje, ekipet e shpëtimit raportuan se kishin gërmuar rreth 24 metra, por rreth gjashtë metra mbeten ende për të arritur tek fëmija. Zoti El Quahabi i tha “BBC-së” se kjo ishte tani mënyra e vetme me, të cilën punëtorët e shpëtimit do të jenë në gjendje të arrijnë te Rayan. Por autoritetet mbeten të shqetësuara se çdo ndërhyrje në pus mund të dëmtojë aksidentalisht pesëvjeçarin duke shkaktuar një rrëshqitje dheu. Hashtag-u arab #SaveRayan ka qenë në trend në të gjithë rajonin, duke përfshirë Algjerinë fqinje. / abcnews.al