Egbo: I dimë pikat e dobëta të Crvena Zvezdës, do e shohim nesër në fushë

schedule19:56 - 24 Gusht, 2020

schedule 19:56 - 24 Gusht, 2020

Trajneri i Tiranës, Emanuel Egbo, foli në konferencë për shtyp para ndeshjes kundër Crvena Zvezdës. Në fjalën e tij, numri një i stolit bardheblu tha: “Cverna është një ekip shumë i fortë, por në fushë është 11 kundër 11. Do të tentojmë me të gjitha mundësitë që kemi, të japim maksimumin dhe të marrim rezultatin që na takon. Ne do futemi në fushë për të marrë maksimumin.

Gjithçka varet nga ne, nëse futemi në fushë dhe japim maksimumin, varet nga ne. Tirana ka aq shanse sa Cverna për kualifikimin. Nuk e di nëse e keni parë UEFA Champions League, me ekipe si Lyon, PSG, që në kushte normale, nuk do të ecnin aq shumë. Kështu që çdo gjë është e mundur në jetë. Motivimi im është se çdo gjë mund të ndodhë.

Do na duhet të luajmë si kundër Tbilis, duhet të kërkojmë edhe më shumë nga vetja për të marrë maksimumin e mundshëm. Kam besim se çunat do të futen nesër në fushë për të marrë maksimumin.

Formacioni? Do e shohim deri nesër. Nesër do e merrni vesh se kush do të luajë e kush jo. Çdo ndeshje është ndryshe, do shohim lojtarët se kush është gati dhe kush jo. Nuk mund të them a do të jetë Muçi apo një lojtar tjetër. Nesër do e shihni.

Shtesat dhe penalltitë? Është avantazh, por dhe nuk është avantazh. Cverna është një ekip me shumë vlera, është më cilësor se Tirana. Por në ndeshje teke, gjithçka mund të ndodhë, ne do të provojmë duke dhënë 100% brenda fushës.

Unë jam trajner dhe merrem me gjërat që ndodhin brenda fushës. Nuk merrem me gjëra që ndodhin nga jashtë. Ne fokusohemi vetëm te fusha. Incidentet nuk janë në fokusin tonë.

Ne e dimë si luan Cverna Zvezda dhe e dimë si luajmë ne. Nesër do të shihet në fushën e lojës. Ata janë ekip agresiv dhe që dinë të luajnë futboll. Para ndeshjen me Dinamo Tbilis, ishte atmosferë ndeshje, ishte jashtë Shqipërisë dhe ndeshja e parë në Champions League për shumicën e lojtarëve tanë.

Nuk besoj se ekipi do të ketë ngarkesë emocionale. Unë i njoh lojtarët e mi dhe ata do të futen në fushë për ta shijuar ndeshjen, pasi është ndeshje e Champions League. Lojtarët nuk duhet të kenë emocion. Është ndeshje që luhet në shtëpinë tonë.

Ne i dimë pikat e dobëta dhe pikat e forta të Cverna Zvezdës. Janë ekip që sulmon me shumë forca, dimë dhe që janë agresivë shumë. Edhe pikat e dobëta të tyre i dimë dhe do i shohim nesër”, u shpreh Egbo./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!