Emanuel Egbo, trajneri i Tiranës, para ndeshjes me Young Boys ka dalë në konferencë për shtyp. Fillimisht nigeriani deklaron: “Do jetë ndeshje që duhet ta shijojmë dhe të japim maksimumin. Të provojmë fatin tonë në fushë dhe të marrim atë që na takon”.
Sigurisht që kundërshtari është i favorizuar: “Ata kanë bërë dy ndeshje në kampionat, janë më në ritëm se ne. Dy ndeshjet që kemi luajtur në Champions na dhanë një impuls pozitiv. Nuk do luajmë me frikën e ndeshjes së parë. Ekipi do të futet në lojë siç e filluam pjesën e dytë me Dinamon dhe si e luajtëm ndeshjen me Crvena Zvezdën.
Nuk jemi në presion, janë ata që janë në presion. Në letër janë më të mirë se ne. Do të shkojmë atje për të dhënë maksimumin nga vetja. Kemi shanset 50% me 50% për t’u kualifikuar. Kush do të bëjë më pak gabime do ta fitojë ndeshjen. Kemi analizuar kundërshtarët, në ditën e ndeshjes do ta dimë si ta përballojmë. Duhet të përfitojmë nga gabimet e atyre, për ta fituar ndeshjen”.
Egbo u ngacmua edhe për largimet nga skuadra, por si zakonisht zgjodhi të fokusohet te pjesa e fushës. “Jemi përqendruar vetëm te ndeshja. Nuk e kam mendjen te largimet. Për mua nuk kanë rëndësi emri. Rëndësi ka çfarë japin brenda fushës. Ekipi i futbollit nuk është si boksi, një kundër një.
Është grupi ai që ka rëndësi. Kemi bërë analizën e tyre, ka lojtarë që kanë ikur dhe janë dëmtuar. Ata kishin objektiv të futeshin në grupet e Champions dhe nuk do të jenë shumë të motivuar. Kanë probleme brenda. I kemi studiuar dhe do t’i shohim si mund t’i përballojmë. Nuk ka shumë diferenca. Ekipi që do të bëjë më pak gabime brenda fushe do të kalojë. Është ekip që duhet vlerësohet maksimalisht. Ka lojtarë të gjatë dhe luajnë me topa të gjata”.
Në fund, i pyetur për largimin e kapitenit Gent Muça, Egbo deklaroi: “Futbolli kështu e ka. Një trajner në Nigeri më ka thënë, 20 futbollistë nuk mund të luajnë bashkë për 20 vjet. Ai iku në mënyrë paqësore. Vendosi vetë rrugën. I urojmë fat”. /abcnews.al