Më shumë se 41 mijë njerëz janë vrarë dhe dhjetëra mijëra të tjerë janë plagosur në tërmetin shkatërrues që goditi Turqinë dhe Sirinë në orët e para të mëngjesit të së hënës, me 6 shkurt. Në kërkim të të mbijetuarve, vendi ynë Shqipëria ka dërguar grupet e kërkim-shpëtimit.
Prandaj, në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit” nga Malatya, drejtori i Inspektoriatit Shëndetësor Të Forcave Të Armatosura, Kolonel Elton Reso, ka treguar se si paraqitet situata në atë zonë. Ai ka treguar se grupi shqiptar ka bërë të mundur gjetjen e një fëmije të mbijetuar dhe fatkeqësisht të shumë viktimave.
Sipas Resos, sfidat që kanë hasur janë dy: ndërhyrja në kohë për shpëtimin e njerëzve që ndodheshin në rrënoja dhe kushtet atmosferike.
“Jemi nisur më datën 6 nga Tirana dhe më datën 7 kemi qënë në Malatya. Aktualisht ne jemi një staf prej 72 vetash i përbërë nga personel efektiv i forcave të armatosura. Dy personel të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe 5 nga Ministria e Energjitikës.
Të them të drejtën, një panoramë vërtetë shkatërruese. Që nga mbërritja jonë e parë në këtë qytet, vetëm rrënoja, një pallat në këmbë, 2-3 pallate të rrënuara. Një tërmet vërtet shkatërrimtar, ngjan me luftën, mbase çik më keq se lufta, duke përfshirë këtu kushtet atmosferike që janë më të rënduara, pasi temperaturat nuk i kalojnë mbi 0 gradë. Kjo e ka vështirësuar më tepër punën tonë, por ekipin ka punuar pa u lodhur.
Sfidat që kemi hasur janë dy: ndërhyrja në kohë sepse thash që kishte shumë ndërtesa të shkatërruara dhe duhet të ndërhyrje në disa ndërtesa në të njëjtën kohë për të rritur shanset, për shpëtimin e njerëzve që ndodheshin në rrënoja. Edhe nga ana tjetër, që e përmenda më herët, kushtet atmosferike.
Aktualisht, efektivët tanë të kërkim-shpëtimit kanë shpëtuar një fëmijë që me mbërritjen tonë të parë, të cilën e kemi deklaruar. Bëhet fjalë për një fëmijë rreth 4-5 vjeç. Ishte një emocion shumë i madh, por ekipet tona kanë nxjerr fatkeqësisht edhe shumë viktima. Kërkimet vazhdojnë, mrekullitë ekzistojnë, por në këtë zonë duket se po i vjen fundit, pasi pothuajse në të gjitha ndërtesat janë bërë kërkimet. Mbi 90% është ndërhyrë në ndërtesat e shkatërruara”, tha ndër të tjera ai./abcnews.al