Efekti i COVID-19, ekonomitë më sytë nga turizmi, përmirësohen standardet

schedule22:47 - 26 Tetor, 2020

schedule 22:47 - 26 Tetor, 2020

Turizmi është një nga sektorët më të goditur globalisht sa i takon situatës së COVID-19 por edhe ai që mund të rimëkëmbet më shpejt.

Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit bëri me dije se tashmë po shihen mundësitë për të sjellë standarde të reja në sektor duke u lidhur me dy aspekte turizmi dhe shërbimet e ngjashme dhe masat për të zvogëluar përhapjen e virusit.

Këto standarde do të vendosen nga institucionet ndërkombëtare siç është Organizata Ndërkombëtare për Standardizimin (ISO) dhe më pas do të kalojnë në hallkat e tjera të përcjelljes sipas vendeve. Në një njoftim të DPS bëhet me dije se Organizata Ndërkombëtare për Standardizimin (ISO) ofron udhëzime ndërkombëtare dhe seminare në internet për të ndihmuar industrinë e turizmit të kalojë krizën  e krijuar nga pandemia e COVID-19.

“Me fillimin e pandemisë së COVID-19 u mbyll gjithçka. Ekonomia botërore pësoi humbje të mëdha, sektori turizmit u godit rëndë, duke pësuar një rënie në të ardhurat vjetore botërore në shumën prej rreth 460 miliardë dollarë në gjysmën e parë të vitit 2020. Tashmë kufizimet kufitare janë lehtësuar por sektori i turizmit po përpiqet të tërheqë turistët në zona turistike të sigurta dhe me higjienë maksimale. Duke njohur sfidat e shumta me të cilat përballet sektori i turizmit, ISO ka filluar punën për një seri të re specifikimesh teknike, të cilat do të ndihmojnë operatorët e turizmit të përdorin masat më të mira për qëndrimin dhe sigurinë e turistëve.

Specifikimi teknik i ardhshëm, i cili do të jetë në dispozicion për publikun ISO/PAS 5643, Turizmi dhe shërbimet e lidhura me të – Masat për të zvogëluar përhapjen e COVID-19 në sektorin e turizmit do të ndihmojë të gjithë sektorin e turizmit, operatorët e akomodimit, muzeumet, transportuesit të ofrojnë shërbime më të sigurta dhe të parandalojnë përhapjen e virusit.

Znj. Natalia Ortiz de Zárate Crespo, kryetare e komitetit të ekspertëve, e cila po harton specifikimin teknik, tha se specifikimi teknik do të përdorë specifikimet teknike të hartuara së fundmi nga Organizata Spanjolle për Standardizimin (UNE), anëtare e ISO për Spanjën si referencë dhe gjithashtu do të mbështetet në specifikimet e tjera ekzistuese kombëtare dhe ndërkombëtare, të tilla si ato të Organizatës Botërore të Turizmit (UNWTO) dhe Këshillit Botëror të Turizmit (WTTC).

“Ajo tha se: “Janë marrë parasysh të gjitha specifikimet teknike ekzistuese, përfshirë këtu edhe kërkesat në lidhje me distancimin social, maskat dhe dezinfektimin, por gjithashtu do të detajojmë edhe çështje të tilla siç janë: kontrolli në hyrje dhe daljet e emergjencës, nëse ndodhin situata të papritura”.

Hartimi i specifikimit teknik po koordinohet nga Instituti Spanjoll për Cilësinë e Turizmit (ICTE). “Specifikimi i ri teknik do të sjellë praktikën dhe ekspertizën më të fundit ndërkombëtare nga operatorët e turizmit,” tha Drejtuesja e Projektit Maria Cruz Cádiz.

Përveç hartimit të specifikimit teknik, ISO, së bashku me UNE, po zhvillon një seminar publik mbi rimëkëmbjen e sektorit të turizmit pas pandemisë së COVID-19. Seminari do të mbahet më 21 tetor me temën “Turizmi dhe ndikimet e COVID-19: roli i standardeve në zbutjen e krizës”, ku do të marrin pjesë ekspertë nga organizata të tilla si UNWTO, Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë, ICTE, Sektori i Turizmit të Portugalisë , ekspertë të standardeve” sqaroi DPS./marrë nga monitor/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!